Federata Shqiptare e Volejbollit ka hedhur edhe shortin e kampionateve kombëtare të të rinjve dhe të rejave dhe e ka publikuar atë. Nga sa bëhet e ditur, ka shumë më tepër interes për kampionatin e të rejave. Janë rregjistruar për të marrë pjesë, po ashtu janë tashmë edhe pjesë e kalendarit plot 24 ekipe ndër të cilët edhe Vllaznia. Këto skuadra janë ndarë në 5 grupe dhe secili prej tyre do ketë nga 5 skuadra me përjashtim të grupit C ku merr pjesë Vllaznia. Ky grup do të ketë 4 skuadra teksa përveç asaj shkodrane janë edhe Minatori i Rrëshenit, Korabi i Peshkopisë dhe Iliria e Fushë Krujës.

Ndeshjet e të rejave do të nisin më 13 tetor dhe në javën e parë Vllaznia do të luajë në Peshkopi me Korabin vendas. Një javë më vonë do udhëtojë drejt Fushë-Krujës për t’u ndeshur me Ilirinë dhe në javën e tretë do presë në Shkodër Minatorin. Faza e dytë ndërkohë starton më 17 nëntor. Sa i takon kampionatit të të rinjve, në të do marrin pjesë 8 ekipe ndër të cilët edhe Vllaznia. Kampionati i kësaj grupmoshe do startojë më 20 tetor dhe shkodranët do presin në fushën e tyre Ilirinë në javën e parë për të shkuar pastaj në Lushnjë, në të tretën do presin Studentin dhe kështu me rradhë.
www.shkodrasport.com