Kampionatet kombëtare të basketbollit më në fund do startojnë. Federata Shqiptare e Basketbollit ka hedhur shortin e këtyre kampionateve ditën e djeshme dhe tashmë mbetet vetëm të presim nisjen e tyre. Nga sa bëhet e ditue, do kemi një shtim të skuadrave në kampionatin e meshkujve teksa këtë sezon do kemi 12 skuadra pjesmarrëse. Në fakt u mendua që këto 12 skuadra të ndaheshin në dy grupe por nuk ka ndodhur kështu. Ato do luajnë në një grup të vetëm dhe do ndeshen me secilën nga dy herë. Ndërsa tek femrat numri është më i vogël- 8.
Sipas shortit të hedhur, në javën e parë të këtyre kampionateve, ekipet e Vllaznisë do të ndeshen me ato të Flamurtarit. Ndeshjet do zhvillohen të dielën në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. E para do jetë ndeshje e femrave e cila do nisë në orën 10.00 të dë dielës ndërsa ballafaqimi Vllaznia- Flamurtari për meshkuj do të nisë në orën 14.00. Trajneri Bledar Gjeçaj sigurisht që është i kënaqur që më në fund këto kampionate do nisin sepse ai prej kohësh e ka gati skuadrën. Struktura e re e kampionatit, e bën edhe Vllazninë pretendente ashtu si Tirana, Kamza, Apolonia dhe ndonjë tjetër. Ndërsa tek ekipi i femrave sigurisht që nuk janë këto pretendime. Trajneri Rajmond Rasha natyrshëm do ta ketë shumë më të vështirë të rivalizojë me ekipet e tjera edhe si pasojë e kontigjentit që ka në dispozicion kur siç dihet pak ditë më parë i është larguar edhe basketbollistja më e mirë, Gridi Sokoli që është bashkuar me Tiranën. Megjithatë e rëndësishme është që edhe kampionatet e basketbollit tashmë do nisin.
www.shkodrasport.com