Shqipëria ka mbyllur konkurrimin e saj në Kampionatin Europian të Boksit, aktivitet që po zhvillohet që prej datës 18 prill në Beograd. Pasi kishte fituar dy ndeshjet e para, fillimisht ndaj rumunit Marcel Nistreanu dhe më pas kundër kroatit Petar Kresimir Knezeviç, Alban Beqiri u ngjit në ring për ndeshjen çerekfinale të peshave 71 kg.
Kampioni kuqezi kishte përballë turkun Erdemir Tugrulhan, një rival shumë i fortë dhe me eksperiencë të madhe në kompeticionet ndërkombëtare.
Ndërsa ky duel e fuste në zonën e medaljeve fituesin. Ndonëse provoi të jepte më të mirën, Beqiri nuk ia doli, pasi triumfi shkoi për turkun.
Tugrulhan u paraqit më mirë në dy raundet e para, ndërsa Beqiri reagoi në raundin e tretë, me ndeshjen që u mbyll me pikë në favor të turkut.
Gjithsesi, ndonëse jashtë zonës së medaljeve, Beqiri zhvilloi një Europian për duartrokitje.
Këto janë kompeticionet më të forta dhe më të vështira të këtij sporti, aty ku kundërshtarët nuk i zgjedh sipas dëshirës, por duhet të përballesh me më të mirët e secilit shtet me short dhe brenda pak ditëve duhet të ngjitesh disa herë në ring.
Kujtojmë që Alban Beqiri regjistron rezultatin më të lartë të të gjitha kohërave për boksin shqiptar në arenën ndërkombëtare, teksa në vitin 2021 fitonte medaljen e bronzit në Kampionatin Botëror, e vetmja për vendin tonë në një eveniment të tillë.
Për sa i përket boksierëve të tjerë të Kombëtares së Shqipërisë në Europianin që po mbahet në Beograd, Ani Haxhillari, Senad Drini, Arjon Kajoshi dhe Luis Gjolena nuk arritën që të linin gjurmë, duke u eliminuar që në duelet e para.