Kampionati kombëtar i basketbollit për të reja ka hyrë në fazën më interesante të tij.
Pasi janë përcaktuar katër skuadrat më të mira, tashmë ka mbetur për t’u zhvilluar edhe faza përcaktuese, ajo e shpalljes së ekipit kampion.
Kjo gjë do të dalë pas përfundimit të ndeshjeve gjysmëfinale dhe finale që do të zhvillohen.
Federata Shqiptare e Basketbollit ka vendosur që ndeshjet më të rëndësishme të këtij sezoni t’i zhvillojë në Shkodër fundjavën e ardhshme.
Janë përcaktuar edhe çiftet gjysmëfinaliste teksa Vllaznia do të ndeshet me Partizanin ndërsa Flamurtari me The Roses.
Këto dy ndeshje do të luhen të shtunën që vjen ndërsa finalja do të zhvillohet të dielën në orën 11.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.
Kuptohet që ekipi shkodran konsiderohet favoriti kryesor për fitimin e titullit kampion. Ai ka bërë një ecuri të shkëlqyer deri më tani në kampionat duke i fituar të 12 ndeshjet e luajtura por që gjithsesi nuk mjaftojnë.
I duhen edhe 2 të tjera që Vllaznia të shpallet kampione e Shqipërisë dhe trajnerët Xhuli Shestani e Renato Radoja e premtojnë këtë gjë.
© shkodrasport.com