Dy ekipet e Shkodrës në futboll për femra, ato të AAS dhe “Juban Danja” kanë arritur fitore të thella ndaj kundërshtarëve të tyre në ndeshjet e javës së 12-të të kampionatit.

AAS ka luajtur në Pogradec ndaj skuadrës vendase dhe ka fitur me rezultatin e thellë 6-0.

Rezultati është zhbllokuar shpejt, teksa që në ‘9 ka shënuar Tukaj. Më pas rrugën e rrjetës e ka gjetur dy herë Armoku dhe pjesa e parë do të mbyllej me shifrat 3-0.

Po kaq gola do të shënoheshin edhe në pjesën e dytë ku fillimisht shënon Sufaj dhe më pas Tukaj edhe dy herë të tjera e dërgon topin në rrjetën e portës pogradecare duke mbyllur ndeshjen.

Pas kësaj fitoreje, AAS është ngjitur në kuotën e 21 pikë duke mbajtur tashmë vendin e pestë në renditje.

Ecuria e saj në takimet e fundit ka qenë shumë pozitive dhe për rrjedhojë, objektivi është për të mos u ndalur këtu.

Nga ana tjetër, në kompleksin “Zmijani”, ekipi “Juban Danja” ka pritur atë të Bilisht Sport.

Fati i ndeshjes është zgjidhur që në pjesën e parë kur Joana Thomaj ka shënuar tre herë.

Në të dytën ka shënuar edhe Paula Jaku golin e katërt dhe të fundit të kësaj ndeshje që kësisoj mbyllet me fitoren e “Juban Danja” me shifrat 4-0.

Me këtë fitore, ajo është ngjitur në kuotën e 15 pikëve duke mbajtur vendin e shtatë në renditje.

Sot ndërkohë në Tiranë do të luhet ndeshja Kinostudio- Vllaznia.
www.shkodrasport.com