Java e tetë e kampionatit kombëtar të futbollit të femrave ka rezultuar e mbarë për tre ekipet e Shkodrës sepse si Vllaznia kryesuese, ashtu edhe The Door e Juban Danja, kanë fituar madje me rezultate të thella ndaj kundërshtarëve të tyre. Këto ekipe I kanë luajtur ndeshjet e rradhës ditën e djeshme në Shkodër.
Vllaznia ka patur përballë ekipin modest të Dajtit të cilin e ka mundur me rezultatin e thellë 13 me 0. Autore të golave për Vllazninë kanë qenë Proto, Franja 2 gola, Tula, Doçi 2 gola, Baro 4 gola dhe Jashari 3 gola. Me këtë fitore, skuadra e trajnerit Selami Pepaj vazhdon të kryesojë renditjen me pikë të plota 24, aq sa ka edhe Kukësi dhe do jetë përballja direkte me këtë ekip pas dy javësh, ajo që do të vendosë se kush do të jetë “kampionia e dimrit”. Fitore të thellë ka arritur edhe The Door, e cila ka mundur me rezultatin 5-0 ekipin e Shkëndisë së Durrësit. Golin e parë të ndeshjes e ka shënuar Djegsina ndërkohë që më pas ka qenë Shega ajo që ka shënuar plot 4 gola duke kompletuar fitoren. Kjo skuadër e cila drejtohet me sukses nga Arben Parmeza, mban vendin e tretë në renditje me 18 pikë. Ka fituar edhe Juban Danja, madje me rezultatin e thellë 6-0 ndaj Kinostudios, ekip ky që mbante vendin e tretë. Por vajzat e drejtuara nga Emanuela Jaku ka dominuar ne fushë dhe autore të golave kanë qenë Ndoci, Rrotani 2 gola, Mustafa, Emanuela dhe Paula Jaku. Me këtë fitore, Juban Danja është ngjitur në kuotën e 16 pikëve duke mbajtur vendin e katërt në renditje. Siç shikohet edhe nga renditja, tre ekipet e Shkodrës janë të renditura në katër vendet e para duke treguar se edhe ky kampionat po dominohet prej tyre.
© shkodrasport.com