Këtë fundjavë pritet të nisë kampionati i gjashtë kombëtar i futbollit për femra në vendin tonë. Federata Shqiptare e Futbollit ka hedhur edhe shortin e këtij kampionati ku gjëja kryesore që vërehet është shtimi i numrit të skuadrave pjesmarrëse. Në kampionatin e ri pritet të ketë një numër rekord pjesmarrje në krahasim me atë që ka ndodhur deri tani teksa kanë konfirmuar marrjen pjesë plot 12 ekipe të vendit.
Ekipet e reja që janë shtuar sivjet janë ato të Kukësit, Elbasanit, Bilisht Sportit dhe ekipi shkodran AAS. Pikërisht ky i fundit, ka bërë që të shtohet edhe numri i ekipeve të Shkodrës që do marrin pjesë në këtë kampionat, duke e çuar numrin e tyre në katër, bashkë me Vllazninë, Juban Danjen dhe The Doorin.Shtimi i numrit të skuadrave natyrisht që konsiderohet shumë pozitive pasi tregon për dëshirën e femrave për t’u marrë me futboll. Por nëse është shtuar numri i skuadrave, nuk mund të themi se është rritur edhe cilësia. Vllaznia, skuadra kampione në fuqi, konsiderohet sërish pretendentja kryesore për titullin kampion. Kjo nisur nga merkatoja që ka zhvilluar teksa ka bërë pjesë të saj disa futbolliste të ekipit kombëtar megjithatë nuk përjashtohet mundësia që ajo të ketë jo pak rivalitet me ekipe si ato të Kukësit, Juban Danjës, Tiranës dhe Kinostudios. Në javën e parë, ndeshjet e së cilës pritet të luajnë të shtunën që vjen, do të zhvillohen tre ndeshje në Shkodër. Kështu, Vllaznia do të presë në fushën sportive “Reshit Rusi” ekipin debutues të Bilisht Sport. Po në Shkodër, Juban Danja do të presë ekipin e Elbasanit ndërkohë që ndeshja tjetër do të dhurojë derbin më të ri shkodran, atë në mes ekipeve të The Door dhe AAS-së.
Gjergj KOLA