Javën e kaluar kampionati i futbollit të femrave nuk pati ndeshje për shkak të grumbullimit të ekipit kombëtar në pragndeshjen me Skocinë. Por në fakt, edhe këtë fundjavë nuk do të ketë sërish ndeshje. Arsyeja është e njëjta: tashmë është i grumbulluar ekipi kombëtar U-19. Kjo gjë padyshim që ka ndikuar në njëfarë mënyre në përgatitjen e ekipeve sepse kjo periudhë pushimi do të shoqërohet më pas me një ngjeshje të kalendarit dhe me shumë mundësi do të ketë edhe dy ndeshje në javë në mënyrë që faza e parë e kampionatit të mbyllet para festave të fundvitit.
Siç dihet deri më tani janë luajtur vetëm tre javë kampionat dhe për të mbyllur fazën e parë duhen edhe tetë të tjera. Në këto tre javë të luajtura sërish spikat ekipi i Vllaznisë që i ka fituar të tre ndeshjet e luajtura duke udhëhequr i vetëm renditjen me pikë të plota 9. Ky ekip pritet të jetë pretendenti kryesor dhe i vetëm mesa duket për fitimin e titullit kampion edhe këtë sezon ndërkohë që gara do të jetë se kush do zërë vendin e dytë. Në garë për këtë vend janë disa ekipe dhe pikërisht Kinostudio, Apoloni, Tirana AS, AAS dhe Juban Danja.
© shkodrasport.com