Kampionatet e basketbollit do të rikthehen sërish në mesjavë teksa do të zhvillohen ndeshjet e tyre të rradhës. Pikërisht ndeshjet që ishin planifikuar të luheshin ditën e shtunë por që për shkak të përmbytjeve në të gjithë vendin, u vendos të shtyhen. Tashmë vendimi është marrë nga Federata Shqiptare e Basketbollit dhe sportistët e të gjithë ekipeve do të jenë në parket në mesjavë. Në Shkodër janë të planifikuar për t’u luajtur dy ndeshje. E para do të jetë ajo e femrave në mes Vllaznisë dhe Skënderbeut. Shkodranet kuptohet që do të kërkojnë fitoren megjithatë me rezultatet e fundit që kanë arritur në kampionat, duken larg objektivit të tyre për të qenë në mes katër ekipeve më të mira.
Me shumë interes ndërkohë pritet takimi i meshkujve në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Partizanit. Të dy ato vijnë në këtë ndeshje me pikë të barabarta, nga 10 dhe kryesojnë sëbashku renditjen e kampionatit bashkë me Tiranën e Teutën. Për këtë arsye, kjo ndeshje që do të luhet në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” pritet me interes. Basketbollistëve shkodranë u duhet medoemos fitorja në mënyrë që ta lënë poshtë në renditje këtë kundërshtar dhe në rast se arrihet kjo, atëherë rruga drejt vendit të dytë në kampionat, duket e sigurtë për kuqeblutë. Në fakt, Vllaznia në fazën e parë arriti të fitojë edhe në kryeqytet ndaj Partizanit por kjo nuk do të thotë se në Shkodër ata do ta kenë të lehtë. Kapiteni Berdica e ka bërë të qartë se nëse ekipi luan si në dy periodat e fundit të ndeshjes së kaluar me Teutën, atëherë fitorja do të jetë e sigurtë edhe me të kuqtë. Megjithatë çdo gjë do të vendoset të mërkurën në orën 18.00 në ballafaqimin në mes këtyre dy ekipeve. Një ndeshje që shpresohet të ndiqet me interes edhe nga sportdashësit shkodranë.
© shkodrasport.com