Pas mbylljes së kampionateve të Superligës, kategorisë së parë dhe asaj të dytë, tashmë po u vjen fundi edhe kampionateve të moshave në futboll.

Finalja e parë që do të zhvillohet do të jetë ajo e 17 vjeçarëve.

Të drejtën për të diskutuar sfidën finale për titullin kampion e kanë fituar Vllaznia dhe Besa e Kavajës.

Ata kanë fituar në gjysmëfinale ndaj Flamurtarit dhe Tiranës dhe tashmë do ketë edhe një betejë të fundit për të kërkuar suksesin.

Ndeshja finale do të luhet të martën pasdite në orën 17.00 në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit.

Ekipi shkodran ka kohë që përgatitet për këtë ndeshje dhe padiskutim që objektivi do të jetë fitorja dhe shpallja kampion.

Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë sepse kundërshtari ka treguar se ka një ekip të mirë që ka fituar edhe trofe gjatë këtij sezoni.

Megjithatë, kuqeblutë e drejtuar nga trajnerët Nefail Zhejani dhe Denis Zmijani do të dinë të tregojnë vlerat e tyre.

Ata kanë bërë një sezon relativisht të mirë, ndoshta madje jo në atë nivel që pritej por nga ndeshja në ndeshje performanca e tyre ka ardhur duke u rritur, derisa kanë mbërritur këtu në finale.

Kemi të bëjmë me një skuadër ku më tepër spikat loja kolektive por nuk mungojnë as individët të cilët veçohen me paraqitjet e tyre si Xhahysa, Barbullushi, Mali, Krymi e të tjerë.

Gjithsesi, finalja është finale dhe duhet interpretuar në mënyrën e duhur.

Drejtuesit e Klubit Vllaznia dhe ato të Akademisë, janë shumë të fokusuar tek ecuria e ekipit U-17 por edhe atij U-19 që është edhe ai pretendent për titullin kampion të këtij sezoni.

Nëse kjo arrihet, do të ishte padyshim që mbyllje e bukur, për të kompesuar në njëfarë mënyre dështimin e madh që solli ekipi i parë i cili ra nga Superliga.
www.shkodrasport.com