Dalja kampion natyrisht që ka Brenda kënaqësinë e madhe të vlerësimit si skuadra më e mirë por kur merr pjesë në Ligën e Kampioneve, sigurisht që emocionet rriten edhe më shumë. Pikërisht për këtë arsye, vajzat futbolliste dhe stafi drejtues I ekipit të Adës së Velipojës në futbollin e femrave, po e prêt me mjaft interes marrjen pjesë në një kompeticion të tillë. Nëse verën e kaluar ishte hera e parë që ajo mori pjesë, sivjet natyrisht që është më e përgatitur për të bërë gjëra të miraa. Për këtë arsye, edhe drejtuesit e klubit kanë ditë që kanë nisur përpjekjet për të sjellë në skuadër lojtare cilësorë në mënyrë që të rritet forca e skuadrës për t’u përfaqësuar denjësisht në një kompeticion të tillë. Marrja e Ana Baros dhe e Marsela Djegsinës është bërë pikërisht për këtë qëllim madje në ditët e ardhshme mund të ketë edhe ndonjë blerje tjetër. Ndërkohë stafi drejtues ka vijuar punën pa ndërprerje me ekipin. Trajnerët Fatmir dhe Hava Axhani po bëjnë më të mirën me skuadrën edhe gjatë kësaj periudhe të nxehtë ndërkohë që po shihet mundësia e grumbullimit disaditor të skuadrës në plazhin e Velipojës. Përgatitjet kanë nisur por në fakt ende nuk është e qartë se me cilët kundërshtarë do luhet dhe për më tepër, në cilin vend do zhvillohen ndeshjet. Të gjitha këto dilema do marrin një përgjigje më 28 qershor në Nion të Zvicrës ku do hidhet shorti I të gjitha Kupave të Europës. Ada tashmë e ka konfirmuar pjesmarrjen në Ligën e Kampioneve të femrave dhe bën pjesë në vazon e katërt nisur edhe nga koefiçenti I ulët që ka. Që do të thotë se tre skuadrat e tjeratë grupit sigurisht që do kenë një emër më të madh dhe do jenë ekipe më të forta. Megjithatë kjo do mësohet më 28 qershor, aty ku dhe presidenti Lazër Matia do jetë present në Nion të Zvicrës për të mësuar kundërshtarët por edhe vendin ku do luhen ndeshjet me sistem grumbullimi.

www.shkodrasport.com