Mesditën e djeshme Vllaznia në basketboll për të reja është shpallur kampione e Shqipërisë.
Ajo ka mundur në finale “The Roses” pa shumë vështirësi me 37 pikë diferencë. Në gjysmëfinale kishte mundur me 70 pikë diferencë Partizani.
Padyshim që këto rezultate tregojnë vlerat më të mira të këtij ekipi të drejtuar me meritë nga trajnerët Xhuli Shestani dhe Renato Radoja.
Ecuria e tij ka qenë mëse e shkëlqyer me 14 fitore në 14 ndeshje të luajtura. Po kush janë protagonistet e këtij suksesi?
E nisim nga kapitenia e ekipit, numri 12 i tij Nisrina Kraja. Një lojtare shtatëlartë që jo vetëm mbron mirë por është e saktë edhe në gjuajtje dhe jo më kot dje shënoi plot 15 pikë në finale.
Për të vazhduar me numrin 8 Klea Verri, një pikëshënuese e talentuar e cila në finale shënoi 31 pikë.
Shumë prej të cilave me depërtime brenda zone por edhe me gjuajtje jashtë saj. E treta e listës së këtij ekipi kampion është numri 4, Mirela Lugaj.
Shtatëlarte, shënon shumë pikë dhe padyshim ka qenë një nga pikat më të forta të Vllaznisë në këtë sezon.
Sakaq, organizatorja me numrin 6- Paola Margilaj, dallohet për zgjuarsinë e saj në lojë duke ndihmuar shoqet e ekipit për shënimin e pikëve.
Pesëshja e parë plotësohet me Sara Kolombin, një lojtare qendër e cila luan mirë në mbrojtje duke neutralizuar shumë sulme të kundërshtarit.
Por, një kontribut në suksesin e këtij sezoni ka dhënë edhe Imela Mala, shumë impulsive në lojë, edhe Klea Kaçi që ndonëse 14 vjeçe shquhet për të dhënat e saj si një basketbolliste me shumë të ardhme.
Vllaznia ka patur edhe kontributin e lojtareve të tjera si Snezhana Brajoviç, Greis Kurti, Romena Rroku e Samira Zmijani.
Të gjitha sëbashku kanë arritur 14 fitore rradhazi, i kanë dhuruar klubit Vllaznia dhe Shkodrës një tjetër titull kampion.
Dhe mbi të gjitha, këto vajza konsiderohen e ardhmja e basketbollit shkodran.
© shkodrasport.com