Një nga emrat që po spikat tek ekipi i boksit të Vllaznisë në dy vitet e fundit është edhe 21 vjeçari Vuksan Guri. Për të dytin vit me rradhë është shpallur kampion me të rriturit duke qenë pjesë e suksesit individual por duke ndihmuar edhe ekipin në fitimin e titullit të 21-të. Duke folur për gazetën “Shkodra Sport” në lidhje me këto suksese dhe emocionet që ka përjetuar, Guri do të shprehej:

“Çdo titull që fitohet të jep një ndjesi të veçantë dhe kur të takon t’i fitosh vit pas viti, padyshim që kënaqësia dhe emocionet që përjeton janë më të mëdha. Ky i sivjetmi ishte i treti titull kampion për mua, një me 18 vjeçarët dhe dy me të rriturit dhe besoj se karriera ime ka nisur mirë”. Sakaq, një tjetër pyetje është ajo në lidhje me rivalitetin dhe vështirësinë që has përballë kundërshtarëve por Guri tashmë duket se është mësuar me to dhe nuk e ka problem se me kë ndeshet prandaj shton: “Konkurroj në peshat e lehta, 49 apo dhe 52 kg dhe natyrisht që kam përgjegjësinë sepse meqenëse janë peshat e para, duhet të synoj fitoren dhe suksesin dhe prej saj pastaj nisin edhe sukseset në peshat e tjera që i jpin edhe ekipit titullin. Kur fillohen mbarë finalet nga pesha ime, gjërat shkojnë edhe mbarë dhe kjo ma shton edhe më shumë përgjegjësinë. Kam arritur t’i sfidoj kundërshtarët e mi besoj prej stërvitjes më të mirë që zhvilloj, prej punës së madhe që bëjmë bashkë me trajnerët e mi në stërvitje”.

Viti 2017 po mbyllet por boksierët e Vllaznisë nuk e kanë ndalur për asnjë moment punën sepse kanë nisur të mendojnë menjëherë për vitin e ardhshëm në të cilin i pret një kalendar shumë i ngjeshur veprimtarish.

I pyetur se cilat do të jenë objektivat e tij për vitin 2018, boksieri i Vllaznisë Vuksan Guri do të shprehej: “Viti i ardhshëm? Dëshira ime është të stërvitem fort dhe të fitoj një vend për pjesmarrje në Kampionatin Europian të 22 vjeçarëve. Pastaj është Memoriali Ndërkombëtar që zhvillohet në muajin prill në Shkodër në të cilin padyshim që do të tentoj të marrë medalje. Sa i takon kampionatit kombëtar, natyrisht që objektivi im është të fitoj titullin e tretë kampion rradhazi”.
© shkodrasport.com