Edmilson, futbollisti i Kombëtares së Brazilit në vitin 2002, me të cilën triumfoi në Kampionatin Botëror, mendon se Nejmar nuk është një shembull i mirë për fëmijët dhe jo vetë, Ish-futbollisti i Barcelonës shton se një i famshëm si sulmuesi nuk mund të sillet si të dojë por duhet të kujdeset.

“ Në këto momente, Nejmar nuk është një shembull i mirë. Ai ka një institut që punon me rreth 2000 fëmijë, por sjellja e tij jashtë fushe nuk është shembull i mirë jo vetëm për fëmijët por për asnjë.

Një person si Nejmar, me famën që ka nuk mund të sillet dhe të jetojë si të dojë, duhet të ketë kujdes, sepse është në vështrimin dhe vëmendjen e të gjithëve. Ai është ndryshe nga të tjerët dhe duhet të jetë një shembull si person dhe si profesionist”.

Më pas, Edmilson u ndal te krahasimi mes Mesit dhe Ronaldinjos, teksa u shpreh se braziliani vallëzon me topin në këmbë ndërsa argjentinasi është i parashikueshëm.

“ Ronaldinjo përfaqëson rrënjët e futbollit brazilian. Kreativitet, të shijuarit të futbollit, lëvizje të papara. Mesi nga ana tjetër ka më shumë talent, por 70% e lëvizjeve të tij janë të parashikueshme. Do të dojë kohë të vijnë dy lojtarë si Mesi dhe Kristiano, por nuk ka krahasime me Ronaldinjon. Ronaldinjo vallëzonte me topin, pas tij nuk ka asnjë futbollist që të bëjë dy apo tre lëvizje spektakolare në fushë. Mesi është i mirë, por nuk ka alegrinë e Ronaldinjos”, tha Edmilson.