Renato Sançez, ishte një mesfushor që u ble me shumë bujë nga Bajerni i Mynihut në vitin 2016. 21-vjeçari ra në sy në Europianin e Francës, teksa ishte një lojtar titullar i Portugalisë që u shpall kampione e Europës.
Megjithatë, pas kalimit nga Benfika te bavarezët, Sançez pati probleme me formën fizike, ndërsa dëmtimet e lanë jashtë fushave duke mos shfaqur nivelin e pritur. Bajerni vendosi ta dërgonte në huazim te Suonsi në Premier League, ndërsa tashmë e ka thyer sërish në organikë.
Mirëpo, mesfushori është aktivizuar me pikatore nga trajneri Niko Kovaç dhe duket se këtë merkato verore do të largohet përfundimisht nga Gjermania për të gjetur një skuadër që do t’ i mundësojë më shumë hapësira. Këtë fakt e ka pranuar vetë futbollisti, ndërsa shtoi se kërkon të largohet përfundimisht dhe jo me formulën e huazimit.
“Të gjithë e dinë që dua të luaj më shumë, nuk më mjaftojnë 5 minuta. Të luaj në ndeshje është ajo që dua më shumë dhe bëj maksimumin në stërvitje, të gjithë si trajneri ashtu edhe shokët e skuadrës e dinë këtë.
Mendoj se e ardhmja ime do të jetë larg Bajernit. Por të shohin nëse në huazim apo përfundimisht, unë do të preferoja të ikja përfundimisht”, tha Sançez./VipSport/