Prej disa muajsh një emër që po spikat në atletikën shkodrane dhe atë shqiptare është padyshim Franko Burraj. Një sportist i cili nga gara në garë po rrit jo vetëm rezultatet individuale por edhe ato teknike të tij duke tentuar tashmë të thyejë edhe rekorde.

20 vjeçari shkodran ka vetëm një vit e gjysëm që merret me këtë sport megjithatë ka arritur të shpallet kampion i Shqipërisë për vitin 2017 me të rriturit dhe po ashtu u shpall ditën e djeshme edhe kampion i vendit për salla të mbyllura.

Trajneri i tij Bruno Rrotani duke folur për “Shkodra Sport” në lidhje me këtë sportist, do të thotë: “Kemi të bëjmë me një atlet të perspektivës që premton shumë. Ai ka vetëm një vit e gjysëm që ka filluar këtë sport.

Ka ardhur rastësisht në atletikë. E solli një ditë një shoku i tij dhe në ato teste të para që bëra me të, pashë që kemi të bëjmë me një djalë të talentuar që mund të bënte gjëra të mira. Dhe në fakt kjo përshtypje e parë nuk më zhgënjye.

Brenda një viti stërvitje ai arriti të shpallej kampion i Shqipërisë me të rriturit në garën e 400 metrave ndërkohë që ditën e djeshme doli kampion edhe në salla të mbyllura, duke arritur madje një rezultat shumë të mirë, 49″27.

Një kohë që është afër rekordit kombëtar të kësaj gare që mbahet nga një tjetër shkodran, Sokol Shepeteja. Unë kam shumë besim se me Frankon do të tentojmë ta thyejmë këtë rekord që në garat e Kampionatit Ballkanik që zhvillohen muajin e ardhshëm në Stamboll”.

Ndërkohë, vetë Burraj duke folur për mediat, është shprehur i lumtur me këto që ka arritur deri më tani por natyrisht që ka ende shumë për të bërë në karrierën e sapofilluar.
© shkodrasport.com