Java e pestë e Kampionatit Shqiptar të Kategorisë Superiore është mbyllur me sfidën Kukësi-Kamza e përfunduar me fitoren minimale të verilindorëve, në shifrat 1-0. E luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, sfida delikate është vendosur nga goli i vetëm i realizuar nga kapiteni i Kukësit, Ylli Shameti në minutën e 30’.

Pas kësaj fitore, Kukësi ruan ritmin e kryesuesve, duke barazuar Partizanin në vend të dytë, në kuotën e 10 pikëve, vetëm një pikë larg kreut të mbajtur nga Skënderbeu.

Nga ana tjetër, skuadra e Kamzës qëndron në vendin e 6-të, me po aq pikë. Një humbje e dhimbshme kjo e sotmja, jo vetëm për Kamzën, por mbi të gjithë për trajnerin Klodian Duro, që ka dalë i humbur nga përballja e parë me ish-ekipin e tij, Kukësin, të cilin e pat drejtuar më parë.

Kukësi është imponuar që në fillim të takimit, duke e detyruar Kamzën të tërhiqet në gjysmëfushën e saj. Pas tentativash të njëpasnjëshme, verilindorët kanë kaluar në avantazh falë golit të realizuar nga kapiteni Shameti në minutën e 30’.

Të gjendur në disavantazh, miqtë kanë ndryshuar pretendimet, duke tentuar të reagojnë, në kërkim të golit të barazimit.

Kështu sulmuesi dhe kapiteni i Kamzës, Plaku, është shndërruar në pikën e referimit të aksioneve të miqëve, por pa sukses, me shpërdorimin e disa aksioneve, si gjatë pjesës së parë, ashtu edhe në të dytën, kur Kamza ka qenë më kërkuese dhe e rrezikshme, ndikuar edhe nga ndryshimet e shumta taktike të trajnerit Duro.

Pavarësisht dominimit dhe tentativave të Kamzës, asgjë nuk ka ndryshuar nga rezultati i vendosur që në minutën e 30’ të takimit, me gol të Shametit, 1-0 në favor të Kukësit.

Kukësi-Kamza 1-0

Shënues: Shameti 30’

Kukësi: Frashëri, Maliqi, Shameti, Cuculi, Zguro, Ethemi, Shkodra, Limaj, William, Shafik, Reginaldo.

Trajner: Armando Cungu

Kamza: Avdyli, Frashëri, Teqja, Arrabal, Idrizaj, Malaj, Fukui, Mehmeti, Plaku, Rolovic, Martiena.

Trajner: Klodian Duro