Tashmë është zyrtarizuar edhe ekipi i ri i pogradecarit Vangjel Zguro, i cili ka një karrierë të pasur me ekipet e Luftëtarit, Kamzës dhe Kukësit në Superioren tonë. Nuk do të jetë Kamza, aty ku Zguro ka qenë edhe i ftuar pak ditë më parë, por është Chattanooga Red Wolves SC, klub që garon USL League One.

Pas Shkëlzen Gashit dhe Afrim Takut, pogradecari bëhet shqiptari i tretë që sezonin e ri do të luajë në SHBA, ku bëhet fjalë se ka firmosur për një kontratë të majme. Për Zguron vlerësimet janë të mëdha nga drejtuesit e klubit të ri, të cilët nuk ngurrojnë të bëjnë edhe elozhet e para për zgjedhjen që kanë bërë.

“Si një mbrojtës i majtë, Vangjeli është shumë teknik dhe i pëlqen të shkojë në sulm. Për një lojtar të moshës së tij, ai ka goxha eksperiencë dhe luan në disa pozicione. Krijimi i rasteve dhe loja e tij do të jenë diçka e bukur për ta parë se si do të tregojë vlerat edhe në skuadrën tonë”, – është shprehur Tim Hankinson, i cili mban edhe postin e drejtorit teknik në skuadrën ku ka firmosur Zguro./vipsport/