Kamza ka fituar me rezultatin 1-0 ndaj Skënderbeut. Një fitore shumë e rëndësishme për vendasit që tregojnë se me ardhjen e trajnerit Ernest Gjoka kanë një tjetër fytyrë dhe duan të qëndrojnë realisht në Superiore.

Dorëheqja e teknikut Orges Shehi, rikthimi i tij nga presidenti Ardjan Takaj dhe shkundja e fortë nuk ka pasur asnjë rëndësi tek ekipi kampion i Shqipërisë, pasi tashmë janë në krizë totale. 5 ndeshje pa fitore me 4 humbje dhe 1 barazim janë treguesi i qartë i një momenti të errët që nuk ndodhte prej kohësh.

Takimi i luajtur në stadiumin e Kamzës ishte i një niveli mesatar me të dy ekipet që u munduan të shfaqeshin rrezikshëm. Tapeti nuk ishte në kushtet e tij optimale dhe lojtarët vuajtën, pasi nuk shpreheshin si duhet.

Pjesa e parë nuk dhuroi shumë raste shënimi me Teqjan dhe Avdylin që ishin thuajse si spoektatorë. Ekipet u munduan që të dilnin te goli me anë të krosimeve dhe gjuajtjeve nga distanca.