Nuk është fundi i botës të humbasësh kundër Tiranës në “Selman Stërmasi” sidomos kur luan për më shumë se një pjesë në inferioritet numerik, gjithsesi sinjalet e alarmit tek Kamza shkojnë përtej një disfate e cila mund të pranohet.

Trajneri Ernest Gjoka në më shumë se një prononcim ka qënë i drejtpërdrejtë “nuk do ecim përpara nëse marrëdhëniet president-kryetar bashkie vijojnë të jenë të ngrira”.

Nuk ka kritika në drejtim të futbollistëve, bën aq sa mundën, por fjalët e Gjokës janë shqetësuese në planin afatgjatë gjithnjë lidhur me sezonin aktual. Nëse situata nuk ndryshon atëherë ky problem do të parakalojë ato teknike në fushë, Kamza mund të fitojë ndonjë ndeshje “tek tuk” por pa ndërtuar fillimisht psikologjikisht e më pas teknikisht një skuadër me motivimin dhe forcën për të përballuar garën e mbijetesës.

Trajneri pa përfunduar ende viti 2018 përsëriste pa fund kërkesën e tij “dua qëndërmbrojtës shqiptar” dhe pikërisht ngërci Qarri-Mziu ka bërë që deri më tani të mos ketë asnjë përforcim shtesë, shkëmbimi Teqja-Qaqi është praktikisht i mbyllur, por njëri largohet dhe afrohet tjetri pra numri mbetet i njëjtë.

Kamza vuajti shumë në mbrojtje gjatë pjesës së parë të sezonit, Beqiri për fat të keq është një lojtar që dëmtohet shpesh, Arrabal është i adaptuar në atë rol që nuk është i tiji, shtoji edhe largimin e Frashërit, atëherë kur do ta kuptojnë radarët e drejtuesve dhe kryebashkiakut sinjalin “SOS” të trajnerit?!