Komisioni i Disiplinës ka dënuar ashpër Kamzën për ngjarjet e shëmtuara të fundjavës së kaluar ku u godit me grushte arbitri i ndeshjes Kamza – Laçi, Eldorian Hamiti.
Kamza dënohet kështu me përjashtim nga kampionati i këtij viti dhe nga sezoni i ardhshëm do ta nisë në Kategorinë e Dytë, niveli i tretë i kampionateve në futbollin shqiptar. Klubi është dënuar edhe me një gjobë prej 1 milionë lekësh. Ndëshkim të rëndë ka marrë edhe Presidenti i klubit Naim Qarri, i cili është përjashtuar nga çdo aktivitet sportiv për 36 muaj, ndërsa është gjobitur edhe me 100 000 lekë. Edhe drejtori sportiv i Kamzës, Andi Matraxhiu është përjashtuar për të njëjtën periudhë kohore, si dhe me gjobë 100 000 lekë.
Ndëshkimit të Komisionit të Disiplinës nuk i ka shpëtuar as Tirana e Partizani. Klubi bardheblu do të duhet të luajë një ndeshje pa tifozë, për shkak se këta të fundit hodhën tymuese dhe lëndë plasëse gjatë derbit. Nga ana tjetër, po për sjelljen e tifozëve në derbi, Partizani është gjobitur me 300 000 lekë.
Vendimi i Komisionit të Disiplinës së FSHF datë 06.03.2019 për Klubin e Futbollit Kamza
FK “Kamza”, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për organizimin e ndeshjeve, duke mos zbatuar rregullat e sigurisë, duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes dhe zbatimin e ligjit, në bazë të nenit 64/1/b, 64/1/c), 64/1/e), 65/1 dhe 65/2 të KDS, dënohet me përjashtimin nga çdo aktivitet futbollistik për sezonin 2018-2019 si dhe gjobë në masën 1.000.000 (njëmilion) lek. Në bazë të nenit 29 të KDS, FK “Kamza”, dënohet me zbritjen në Kampionatin Kombëtar të Futbollit të Kategorisë së Dytë duke filluar nga sezoni futbollistik 2019-2020 .
Zyrtari i FK “Kamza”, Naim Qarri, për dhunë ndaj zyrtarit të ndeshjes duke e goditur me grusht, në bazë të nenit 49/2/b) dhe 49/3 të KDS, dënohet me 36 (tridhjetë e gjashtë) muaj pezullim nga çdo aktivitet futbollistik si dhe gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) lek. Në bazë të nenit 20 dhe 21 të KDS, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet e Republikës së Shqipërisë si dhe hyrja në dhomat e zhveshjes dhe territoret përreth fushave të lojës apo stolat e rezervave.
Zyrtari i FK “Kamza”, Andi Matraxhiu për sjellje të gabuar ndaj zyrtarit të ndeshjes në mënyrë të përsëritur dhe nxitje të urrejtjes e akteve të dhunës, në bazë të nenit 49/2/b) dhe 52 të KDS, dënohet me 36 (tridhjetë e gjashtë) muaj pezullim nga çdo aktivitet futbollistik si dhe gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) lek. Në bazë të nenit 20 dhe 21 të KDS, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet e Republikës së Shqipërisë si dhe hyrja në dhomat e zhveshjes dhe territoret përreth fushave të lojës apo stolat e rezervave.
Zyrtari i FK “Kamza”, Albert Bana, për sjellje të gabuar ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të nenit 49/2/b) dhe 49/3 të KDS, dënohet me 18 (tetëmbëdhjetë) muaj pezullim nga çdo aktivitet futbollistik si dhe gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) lek. Në bazë të nenit 20 dhe 21 të KDS, zyrtarit i ndalohet hyrja në të gjitha stadiumet e Republikës së Shqipërisë si dhe hyrja në dhomat e zhveshjes dhe territoret përreth fushave të lojës apo stolat e rezervave.