Kamza është në ditët e saj më të vështira, pasi lojtarët dhe stafi teknik, kanë disa muaj pa u paguar. Situata ka agravuar për shkak të mosmarrëveshjeve mes Presidentit, Naim Qarri dhe kryetarit të bashkisë, Xhelal Mziu.

Ky i fundit dhe institucioni që drejton nuk ka dhënë fondin që i takon për pjesën e aksioneve në pronësi të bashkisë, të paktën sipas pretendimeve të Naim Qarrit, çka ka bërë që klubi të mos ketë fonde për pagesat rrogave.

Në krahun tjetër, Naqim Qarri ka kërkuar me ngulm që bashkia të japë paratë që i takojnë, në të kundërt do të përfundojnë në Gjykatën Administrative. Mirëpo, teksa dy drejtuesit e klubit kanë konflikt mes tyre, janë lojtarët ata që po vujanë pasojat, ndërsa skuadra rrezikon të shkrihet.

Sakaq, Telesport mëson se nesër pritet të ketë një protestë nga tifozët para bashkisë. Ndërkaq stafi teknik i skuadrës dhe lojtarët kanë kërkuar takim zyrtarë me kryetarin e bashkisë, por ai ka hezituar t`i presë. Ndërkohë, dita e nesërme është dhe afati që kanë vendosur lojtarët, për pagesat e prapambetura, në të kundërt nuk do të dalin në fushë./telesport/