
Ndeshja e rradhës e vlefshme për kampionatin kombëtar të futbollit të femrave në mes ekipeve të Juban Danjës dhe Kamzës, nuk është zhvilluar. Ajo ishte planifikuar të luhej ditën e sotme në orën 14.00 në fushën sportive “Reshit Rusi”, ajo nuk është luajtur. Kjo ngaqë ekipi mik nuk është paraqitur. Ndërkohë futbollistet dhe drejtuesit e Juban Danjës kanë qenë të pranishëm dhe kanë pritur 45 minuta sipas rregullores për ardhjen e ekipit kundërshtar. Mosparaqitja e tij do të thotë se në mesjavë, në mbledhjen e rradhës të Komisionit të Disiplinës, kjo fitore do t’i jepet 3-0 në tavolinë ekipit shkodran. Me këtë trepikësh, “Juban Danja” është ngjitur në kuotën e 33 pikëve duke qenë vetëm dy pikë larg Adës kryesuese. Të shtunën e ardhshme, “Juban Danja” do të udhëtojë drejt Tiranës për të luajtur ndeshjen e fundit të kampionatit me ekipin e Kinostudios, një ndeshje që me shumë siguri do fitohet prej saj duke shpresuar deri në fund për një hap të gabuar të Adës megjithatë kjo ka pak shanse të ndodhë. Në këtë mënyrë duket se po shkojmë drejt të njëjtës ecuri si në sezonin e kaluar ku “Juban Danja” zë vendin e dytë në kampionat dhe fiton për të dytin vit me rradhë Kupën e Shqipërisë. Një ecuri që gjithsesi duhet konsideruar shumë e suksesshme.
www.shkodrasport.com