Sikur te mos mjaftonte humbja e djeshme ndaj Vllaznise per kupe, tek Kamza vazhdojne polemikat ne mes drejtuesve te saj, te cilat padyshim qe kane ndikimin e vet edhe ne ecurine e skuadres.
Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, i mbyll derën presidentit të skuadrës, Naim Qarri. Ky i fundit bëri një deklaratë publike dy ditë më parë, duke deklaruar se bashkia nuk kishte plotësuar detyrimet financiare për 49% të aksioneve të klubit që zotëron. Ndërsa, Qarri deklaronte se do të kërkonte heqjen e aksioneve të bashkisë.
I kontaktuar nga gazeta “Panorama Sport”, kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, është përgjigjur shkurtimisht: “Nuk kam kohë për të humbur që të merrem me Qarrin”. Duket se palët janë ndarë përfundimisht dhe kryebashkiaku i Kamzës nuk ka ndërmend që të afrohet sërish me presidentin Qarri.
Ky i fundit në shumë prononcime për mediat i ka bërë thirrje Mziut që të mbështesë skuadrën. Qarri do të vazhdojë të jetë i vetëm në krye të ekipit, ndërsa duket se Kamzën e presin dy faza shumë të vështira.
Kujtojmë se skuadra i shpëtoi rënies nga kategoria një vit më parë, ndërsa dy aksionerët, Naim Qarri dhe Bashkia e Kamzës, nuk janë në një unison. Pritet që kjo të reflektohet në skuadër gjatë dy fazave që kanë mbetur.