Klubi i Vllaznisë publikoi dy ditë më parë listën e kandidatëve për drejtor sportiv dhe për trajner të skuadrës shkodrane. Emra që janë përfolur gjatë të gjithë këtyre ditëve.
I vetmi që ka qenë surprizë në listë ishte turku Engin Firat. 48-vjeçari i lindur në Stamboll ka shprehur dëshirën për të qenë drejtor sportiv ose trajneri i Vllaznisë.
KUSH ËSHTË ENGIN FIRAT – Ai ka lindur më 11 qershor 1970 dhe pasi dështoi në karrierën e tij si futbollist, nisi atë të trajningut. Fillimisht e nisi si ndihmëstrajner te Samsunspor dhe Antaliaspor në Turqi.
Më pas vazhdoi në klube të rëndësishme si, Eintraht Frankfurt apo Fenerbahçe, por vetëm si pjesë e stafit. Eksperienca gjatë këtyre viteve bëri që të marrë rolin e trajnerit tek Ahlen në Gjermani, por që u largua pas pak kohësh.
Më pas, karriera e tij ka vazhduar me Inçeon United në Korenë e Jugut dhe Kayseri Erçiespor në Turqi, por ka drejtuar vetëm pak kohë.
Një pjesë të mirë e ka kaluar në Iran ku ka drejtuar Sepahan, Folad dhe Saipa. Aktualisht, është menaxher i përgjithshëm i Karabukspor në Turqi. Për sa u përket emrave të tjerë, të gjithë janë të njohur për Vllazninë.
Agim Canaj dhe Alban Neziri garojnë për drejtor sportiv me të parin që ka qenë trajner i Vllaznisë, ndërsa i dyti është prej vitesh drejtor i akademisë shkodrane.
Për sa u përket kandidatëve për trajner, në listë janë Baldo Raineri, Dervish Haxhiosmanoviç, Edi Martini, Hasan Lika dhe Engin Firat. Përveç këtij të fundit, të katër të tjerët kanë qenë më parë trajnerë të skuadrës kuqeblu dhe e njohin shumë mirë ambientin.
Burime të sigurta pranë klubit bëjnë të ditur se Lika është kandidati më i mundshëm për të marrë rolin e trajnerit të Vllaznisë me objektiv rikthimin në Superiore. Pritet që në javën e ardhshme, klubi të zyrtarizojë emrin e teknikut të ri të kuqebluve./panorama-sport/