Në mars të vitit të ardhshëm në klubin e Barcelonës do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale. Joan Laporta dhe Zhordi Farre janë dy nga kandidatët e deklaruar deri tani për të qenë përballë Bartomeut. Së fundmi ka qenë Ferre, i cili ka folur për mediet dhe ka treguar një pjesë të planit të tij për të ardhmen e Barçës.

Ai tregon se nëse Kuman do të bëjë mirë sezonin që vjen, do të vijojë në krye të ekipit, por në rast të kundërt te Barcelona mund të zbarkojë Jurgen Klop. Madje ai shton se janë zhvilluar disa biseda me trajnerin aktual të Liverpulit. Mbetet të shihet sesi do të reagojnë fansat katalanas, që prej kohësh kërkojnë kthimin e Guardiolës ose vendosjen e Çavit në krye të ekipit.

“Nëse Kuman korr sukses dhe punon mirë, natyrisht që do të qëndrojë. Gjithsesi ne kemi një plan të qartë dhe kemi zhvilluar biseda paraprake me Jurgen Klop. Mendojmë se Barça ka nevojë për një trajner të tillë.

Është një moment i jashtëzakonshëm dhe Kuman është një zgjidhje e mirë, duke marrë parasysh se ai është një legjendë e Barçës, një pikë referimi. Për nga karakteri që ai ka, mendoj se është ajo që i duhej klubit në këtë situatë. I uroj më të mirën sepse sfida është e madhe”, deklaroi Farre. /vipsport/