Një situatë e çudit shme është krijuar ditën e djeshme në klubin e Astanës. Disa media kanë raportuar për dorëheqjen e trajnerit Grigori Babajan pas humbjes ndaj Kairatit në kampionat. Pasi lajmi u shpërnda gjerësisht, klubi ka parë të arsyeshme të dalë me një deklaratë publike, ku sqaron se Babajan vijon të jetë pjesë e Astanës.

Në faqen e klubit janë publikuar edhe pamje që tregojnë trajnerin në aeroport, para nisjes për në Tiranë. “Në një sërë mediash janë publikuar informacione në lidhje me postin e trajnerit të skuadrës kryesore të Astanës. Klubi pretendon se ky informacion nuk është i vërtetë. Grigori Babajan ka një kontratë të vlefshme me klubin dhe do të vazhdojë të punojë si zakonisht”, thuhet në një deklaratë të klubit.

AXHENDA E KAZAKËVE – Ditën e djeshme kampionët e Kazakistanit kanë mbërritur në Tiranë, pas një udhëtimi direkt me “charter” nga Astana në kryeqytetin tonë. Klubi kazak ka shpërndarë pamje para nisjes dhe pas mbërritjes, teksa gjatë mesditës së djeshme skuadra dhe stafi janë akomoduar në hotelin në stadiumin “Air Albania”. Ditën e djeshme në orën 18:00 ata kanë kryer edhe një seancë stërvitore në stadiumin “Selman Stërmasi”. Fillimisht ishte planifikuar që stërvitja të zhvillohej në stadiumin “Area e Demave”, por kazakët kanë kërkuar të trajnohen në fushë me bar natyral dhe si zgjidhje është parë stadiumi i Tiranës, rivalëve të mëdhenj të Partizanit, që nuk kanë hezituar t’i hapin dyert e shtëpisë Astanës. Ditën e sotme kazakët do të spostohen në Elbasan, ku do të kryejnë seancën e fundit stërvitore në orën 18:30, teksa është skeduluar edhe konferenca për mediat nga ana e trajnerit Babajan. Mungesa e vetme e rëndësishme për këtë përballje në radhët e Astanës është Mikhail Gabishev. Pjesa tjetër e titullarëve janë gati për këtë sfidë, teksa siç e kemi raportuar gjatë javës, ata u lanë pushim në ndeshjen e kampionatit.

SITUATA ME BILETAT – Prej mbylljes së “Air Albania”-s, Partizani do të duhet ta luajë në Elbasan ndeshjen e sotme me Astanën, e vlefshme për “play off”-in e Ligës së Konferencës. Klubi kampion kërkon sa më shumë tifozë në stadium të enjten në 20:00 dhe në funksion të kësaj ka vendosur të akordojë çmime simbolike të biletave. Kështu, në tribunën përballë një biletë kushton 300 lekë, ndërsa pas portës, 200 lekë. Në tribunën kryesore çmimet janë 1000 dhe 2000 lekë. Biletat i gjeni në “Selman Stërmasi”, teksa para ndeshjes do të shiten edhe në “Elbasan Arena”. Gazeta mëson se deri në mbrëmjen e djeshme në stadium janë prenotuar 3000 vende, teksa sot pritet të ketë edhe një fluks të fundit para ndeshjes.