Pavarësisht se lojtarët e Flamurtarit dhe stafi teknik po tregohen profesionistë të vërtetë, duke treguar korrektësi maksimale në seancat stërvitore, nuk po marrin të njëjtën monedhë nga drejtuesit e klubit. Vetë administratori Sinan Idrizi është treguar thjesht një spektator, në ndeshjen miqësore të dy ditëve më parë në Pyllin e Sodës.
Idrizi ka ndërprerë çdo komunikim me futbollistët, ku si asnjëherë më parë, as po flet e as po u jep atyre “zemër”. Nuk ndodhte që Idrizi të mos takonte lojtarët pas ndeshjes, qoftë kjo edhe miqësore, e më shumë në një situatë të tillë të nderë. Komunikimin me lojtarët dhe stafin teknik Idrizi po e bën nëpërmjet mediave dhe kjo duket më shumë se absurde.
Në ndeshjen me 19-vjecarët e Flamurtarit, administratori u shfaq vetëm si tifoz dhe iku i tillë, sikur nuk e lidhte asgjë me ekipin. Kjo sjellje e kreut të klubit është vënë re edhe nga tifozët. Më elementarja që mund të bënte në këtë situatë është t’i falënderonte futbollistët për atë që po bëjnë, edhe pse prej muajsh të tërë nuk paguhen.
Edhe lojtarët janë habitur me këtë largim “rrufe” dhe pa u përshëndetur të kreut të klubit. Veç fjalëve dhe deklaratave në media, Idrizi nuk po vërteton asgjë tjetër që të sjellë zgjidhjen e kësaj situate.
Se çfarë pret Idrizi, këtë e di vetë ai. Kur bëhet fjalë për lojtarë që mund t’i drejtohen FIFA-s për pagat, Idrizi e ka një përgjigje. “Ultimatume dhe presione mua nuk më bën njeri. Kush do që të ikë, të vijë të ulet me ne, ta diskutojmë dhe të bëjmë llogaritë”, u shpreh Idrizi.