Probleme të mëdha për ekipet e klubit shumësportësh Vllaznia. Pjesmarrja e tyre në kampionatet kombëtare është neë dyshim. Një shqetësim i tillë është ngritur sot nga përfaqësues të ekipeve të basketbollit dhe të volejbollit. Ata kanë marrë sinjale nga drejtuesit e klubit se nuk do kenë fonde për të udhëtuar jashtë Shkodre ngaqë Bashkia u ka bllokuar fondet. Arsyeja është se gjoja këto ekipe duhej të ishin shndërruar në shoqata sportive sepse kalimi i fondeve tashmë siç ka ndodhur deri tani në numrin e llogarisë së klubit shumësportësh Vllaznia, është i jashtëligjshëm. Në fakt, ka disa kohë që pritet të nisë kjo reformë. Edhe drejtues të Bashkisë patën ngritur zërin se deri në fillim të shtatorit duhej të kryhej procesi i shndërrimit të klubit shumësportësh në shoqata sportive sipas llojeve të ndryshme të sportit. Por nëse ky proces u la disi në harresë për momentin, tashmë ka dalë sërish në skenë. Dy ekipet e basketbollit të Vllaznisë, ai i femrave dhe i meshkujve që do t’i nisin kampionatet më 27 tetor, ende nuk e dinë se a do marrin pjesë apo jo në këto kampionate sepse mungesa e fondeve do të thotë që ka një problem të madh sidomos në udhëtimet jashtë qytetit. Pa llogaritur pastaj edhe mosdhënien e trajtimeve ushqimore. Por nëse për ekipet e basketbollit ky është një shqetësim që pret ngaqë është edhe një periudhë gati trejavore për nisjen e kampionateve, ende nuk dihet se çfarë do ndodhë me ekipet e volejbollit. Ata që këtë të shtunë do jenë të detyruara që në bazë të kalendarit, t’i luajnë ndeshjet jashtë Shkodre, vajzat në Peshkopinë e largët dhe djemtë në Tiranë. Ata kanë paralajmëruar se nuk do udhëtojnë me lekë të nxjerra nga xhepi i tyre dhe në këtë mënyrë, në këtë mes ekziston një dilemë e madhe se çfarë do bëhet me ekipet e klubit shumësportësh Vllaznia.
www.shkodrasport.com