U mendua se zgjidhja e gjetur nga drejtuesit e klubit për të vendosur në krye të ekipit të basketbollit të meshkujve dyshen Berdica- Taraboshi, do të ishte diçka e mirë, por edhe kjo nuk ka funksionuar.
Kjo ngaqë, i pari i kësaj dysheje, pra Ervin Berdica nuk është më në këtë pozicion. Madje, mësohet të jetë larguar krejtësisht nga Vllaznia dhe nuk do të luajë as si lojtar me të në sezonin e ri.
Vendimi duket se është marrë prej disa ditësh por nuk është bërë publik. Atë e ka konfirmuar për “Shkodra Sport” vetë Berdica pasditen e sotme kur është shprehur:
“Ka disa ditë që jam larguar. Pashë që gjërat nuk ishin ashtu si duhet dhe për këtë arsye, vendosa të largohem. Madje edhe si basketbollist nuk do të luaj me Vllazninë në sezonin e ri.
Nuk kishte kuptim të vazhdojë kur edhe disa nga sportistët më të mirë të ekipit u larguan”. Në këtë mënyrë, pas largimit muajin e kaluar të trajnerit Refik Vorfa, tashmë largohet edhe Ervin Berdica dhe ekipi do të drejtohet kësisoj në kampionat nga trajneri Fatjon Taraboshi.
© shkodrasport.com