Situata kaotike e kohëve të fundit të Vllaznia ka detyruar administratorin e kuqebluve, Astrit Gjyrezi, që të sqarojë edhe një herë pozitat e trajnerit Gjoka dhe lojtarëve në një moment delikat të sezonit.

Pikerisht kur ekipi duket shumë pranë kolapsit duke rrezikuar rënien nga kategoria.

“Ky është një moment jo i përshtatshëm për ekipin që askush nuk do ta kishte dëshiruar.

Ne kemi punuar, jemi munduar që të përgatitim një ekip sa më konkurrues për kampionatin, kemi bërë fazë përgatitore të mirë si dhe përforcime sipas kërkesave të stafit, për të përballuar fazën e tretë dhe të katërt.

Mendoj se ky ekip, ky grup, i kanë mundësitë që të punojnë bashkë dhe të nxjerrin Vllazninë nga kjo situatë që është krijuar”, tha Gjyrezi në një prononcim për “TVSH”.

I pyetur rreth zërave që qarkullojnë së fundmi për shkarkimin e Gjokës dhe zëvendësues të mundshëm të trajnerit, Gjyrezi bëri të qartë se kuqeblutë besonin plotësisht te tekniku aktual.

“Klubi Vllaznia nuk ka komunikim me asnjë person, stafi me në krye Gjokën ka mbështetjen totale të klubit, ashtu siç e ka ky grup lojtarësh. Kam besimin që Gjoka me djemtë që ka mund ta çojë Vllazninë aty ku e meriton”, tha drejtuesi shkodran. /vipsport/