Fabio Kapelo ka dhënë një intervistë për mediat spanjolle, duke analizuar luftën për titull e jo vetëm në La Liga. Ai është fokusuar kryesisht te ish-klubi i tij, Real Madrid, duke i thurur elozhe Ançelotit e Mbape, si dhe duke insistuar se “los blancos” mbeten favoritë për të fituar titullin kampion, edhe pse aktualisht nuk mbajnë kreun.

“Ançeloti është trajneri më i mirë në botë, sepse ai di të menaxhojë ekipin, ai di futbollin, ai di si të vendosë në fushë lojtarët dhe është altruist. Gjëja më e rëndësishme për një trajner është të kuptojë se çfarë ka në dispozicion dhe të dish se ku do të arrish dhe nëse nuk e kuptoni, është një dështim. Ançeloti e kupton këtë në mënyrë perfekte.

Mbape? Ai është një lojtar i madh. Iu deshën tre muaj për të kuptuar se çfarë ishte Madridi. Shumë njerëz e kritikuan, por nuk kanë kuptuar asgjë dhe thanë marrëzi dhe tani shohim se ai është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe i nivelit shumë të lartë.

Derbi në Champions? Do të jetë i vështirë për të dy, si gjithmonë. Një derbi është një ndeshje ndryshe. Unë mendoj se tradita e Real Madridit për këto ndeshje i ndihmon ata dhe lojtarët e tyre të kenë një cilësi të ndryshme, por Simeone i përgatit ndeshjet shumë mirë dhe do të jetë e vështirë për Realin që ta fitojë këtë ndeshje.

Lufta për titull? La Liga është në një moment shumë interesant, si për futbollin ashtu edhe për tifozët, dhe çdo ndeshje ka rëndësi. Personalisht mendoj se Real Madridi do ta fitojë atë”, ishin fjalët e Kapelos.