Menjëherë pas vendimit të drejtuesve të Vllaznisë, të cilët kanë gjobitur futbollistët me gjysmën e pagës të një muaji për shkak të rezultateve të dobëta, ka reaguar kapiteni Elvin Beqiri. Për gazeten, mbrojtësi shpjegon situatën dhe pranon ndëshkimet, mirëpo nuk jep një gjykim nëse ato janë të drejta apo jo. “Kjo është hera e parë që ne si lojtarë ndëshkohemi. Unë nuk mund të them asgjë, nëse ky është një vendim i drejtë apo jo. Nuk dua të bëj gjykime, thjesht është një vendim që është marrë nga drejtuesit, sepse në fund të fundit janë ata që vendosin.
Krerët e kanë parë të arsyeshme që të na ndëshkojnë, ndaj unë nuk mund të shprehem rreth kësaj situate. Të gjithë jemi koshientë se rezultatet e Vllaznisë, të paktën ne dy ndeshjet e fundit, janë të dobëta. Barazimi me Bylisin për ne ishte gati si një humbje, sepse ajo ndeshje duhej fituar, aq më tepër që u luajt në Shkodër. Gjithashtu, sfida e fundit me Besën në Kavajë ishte e pafalshme. Pavarësisht se mund të kemi krijuar raste për shënim, ndeshja u humb nga ana jonë dhe në fund rëndësi për të gjithë ka rezultati. Kampionati është shumë i fortë dhe nuk lejohen aspak gabimet. Ne i kemi pasur të gjitha mundësitë që dy ndeshjet ndaj Bylisit dhe Besës t’i fitojmë, por në fund jemi ndëshkuar. Kanë qenë dy hapa të gabuar, që kanë detyruar drejtuesit të marrin masa ndëshkuese për ne”, – ka thënë fillimisht Beqiri, i cili doli i dëmtuar nga ndeshja e fundit. “Jam me shumë fat që kampionati ka një pushim këto momente. Në përballjen me Besën bëra një zëvendësim të detyruar, sepse nuk mund të vazhdoja më për shkak të dëmtimit. Kam besim se e gjithë kjo periudhë do të shërbejë për mua personalisht, por edhe për futbollistë të tjerë të Vllaznisë të cilët kanë lëndime. Përpara kemi një sfidë tejet të vështirë, pasi Flamurtari në ndeshjet e fundit ka nisur të rritet, qoftë në rezultate e po ashtu edhe në tabelën e renditjes. Përballë vlonjatëve objektiv të vetëm kemi fitoren”, – përfundoi Beqiri.
Admir URUÇI