Pavarësisht humbjes së pësuar pak ditë më parë në përballjen direkte me rivalin kryesor- Tiranën, basketbollistët e Vllaznisë janë të bindur se mund t’ia dalin të fitojnë sërish titullin kampion edhe këtë vit. Për kapiteni Ervin Berdica, nëse do arrihej kjo gjë, do të ishte një sadisfaksion shumë i madh për të gjithë pjestarët e skuadrës dhe në veçanti, për të personalisht.

“Tre vitet e fundit kam qenë unë ai që kam patur kënaqësinë të ngrejë i pari kupën e kampionit, por po ju them se kam ende kënaqësi ta bëj këtë gjë. Madje, me një dëshirë më të madhe se tre herët e tjera sepse siç dihet, Vllaznia gjatë historisë së saj ka arritur të fitojë deri tani 9 tituj kampionë dhe mezi po presim ta fitojmë edhe titullin e 10-të dhe të vëmë yllin në fanellë siç dhe është tradita”- është shprehur kapiteni i kuqebluve. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë sepse Tirana sidomos duket shumë e vendosur për ta fituar ajo këtë kampion, nisur edhe nga investimi që ka bërë dhe përbërja që ka. Por Berdica është i bindur se skuadra e tij mund t’ia dalë. “Në 20 minuta ndaj Tiranës treguam se mund t’ia dalim për të fituar ndaj saj. Fakti që e lamë këtë skuadër të shënonte vetëm 26 pikë në një pjesë loje, me atë përbërje që ajo ka, natyrisht që është diçka për t’u vlerësuar. Gabuam vetëm në periodën e tretë dhe kjo mjaftoi që ta humbnim ndeshjen. Një humbje që erdhi edhe nga loja e Vllaznisë ende nuk është e konsoliduar ashtu si duhet. Tre lojtarët amerikanë të porsardhur, akoma nuk janë ambjentuar ashtu si duhet me skuadrën dhe prandaj u duhet edhe pak kohë për të qenë në nivelet e pritshme. Jam i bindur se nga ndeshja në ndeshje, niveli i ekipit do të vijë duke u rritur dhe do të jemi dinjitozë deri në fund. Gara për titull besoj se do të jetë vetëm në mes nesh dhe Tiranës. Sa për Teutën,me dëmtimin e Shestanit, mendoj se tashmë nuk e ka forcën e duhur për të pretenduar dhe këtë e tregoi edhe ndaj Teutës. Megjithatë nuk duhet nënvlerësuar edhe ajo. Titulli i 10-të dhe ylli në fanellë na motivojmë edhe më shumë për t’i marrë seriozisht të gjithë takimet e mbetura deri në fund të kampionatit”- ka deklaruar për “SHKODRA SPORT”, basketbollisti i Vllaznisë Ervin Berdica.

© shkodrasport.com