Kapiteni i matjanëve, Florenc Farruku, nuk heziton të flasë edhe në rastet kur Burreli ngec. Për “Panorama Sport”, ai thotë se nuk e percepton dot paraqitjen dhe rezultatet në Burrel dhe pranon se diçka nuk shkon kur luajnë në shtëpi.
Situatën e fundit e quan momentale, pasi më shumë ka lidhje me periudhën e virozëve që ndikuan në mungesën e disa lojtarëve. Duke pasur besim te forca e grupit, Farruku pret rezultat pozitiv në transfertën e Fierit, ku premton edhe gol në këtë përballje të javës së 24-t me Apoloninë në Fier.
Si është gjendja e grupit sa i përket dëmtimeve, por edhe virozave?
Situata gradualisht sa vjen dhe përmirësohet. Grupi po merr formën e plotë, krahasuar me ndeshjen e fundit, ku mungesat dhe dëmtimet ndikuan në lojë dhe rezultat. Fatmirësisht nuk kemi të pezulluar nga kartonët, kështu që për këtë javë jemi të plotë dhe synojmë fitoren.
Përsëri humbje në Burrel, çfarë po ndodh në sfidat në shtëpi?
Ka shumë faktorë, por mendoj se diçka po ndikon negativisht në psikologjinë e lojtarëve. Nuk e kuptoj dot, që në ndeshjet jashtë jemi shumë ndryshe nga ato brenda. Diçka këtu nuk shkon. Ndoshta grinta, përqendrimi dhe ngarkesa e ndeshjeve. Gjithsesi, mendoj dhe premtoj se në Burrel nuk do të ketë më hapa fals.
Si do ta komentonit ndeshjen me Korabin?
Zhvilluam një pjesë të parë shumë të mirë, ku pavarësisht mungesave, patëm shumë raste drejt portës. Godita traversën, llogarit këtu edhe pritjet e portierit mik. Më duhet ta them, se ndihemi paksa “të vjedhur” në momentin e ndërhyrjes së portierit ndaj meje. Për mendimin tim ishte për karton të kuq. Më pas pësuam dy gola për mungesë të përqendrimi, si dhe mungesa e disa titullarëve në prapavijë.
Luani në transfertë kundër Apolonisë, si e parashikoni këtë takim?
Me Apoloninë kemi bërë gjithmonë ndeshje të mira në Fier. Duelin e fundit e barazuam në shifrat 1-1. Ja dimë mënyrat e lojës, pikat e dobëta dhe të forta, mbi të cilat po ndërtojmë strategjinë tonë për ta zënë në befasi. E parashikoj ndeshje “hekurash”, shumë të luftuar nga të dyja palët, por triumfi në fund do jetë në anën tonë. Me këtë qëllim dhe optimizëm po përgatitemi intensivisht.
A do të funksionojë skema e kompensimit, çka do të thotë marrja e tri pikëve në Fier?
Mendoj se rikthimet e lojtarëve që munguan ndaj Korabit do të jenë faktorë pozitiv dhe ndihmues për ne. Nisur nga eksperienca e krijuar nga ana jonë në ndeshjet jashtë, mendoj se nuk do të kthehemi pa pikë nga kjo transfertë. Natyrisht, synojmë të marrim tri pikët.
A mendoni se do të shënoni këtë javë?
Në javët kur kam shënuar, Burreli ka marrë rezultate pozitive. Me besimin në vetvete, ndihmën e shokëve të skuadrës e mbi të gjitha besimin në Zot, shpresoj të shënoj. Ajo që është më e rëndësishmja, duhet të marrim atë çfarë ne meritojmë, që për ne është fitorja.