Kapiteni Erdenis Gurishta nuk e ka fshehur mërzinë për humbjen ndaj Tiranës. Sipas tij Vllaznia ishte përgatitur për të marrë më të mirën në këtë takim. Këtë e vërtetoi për më tepër në fushën e lojës.

Ai është shprehur se kuqeblutë duhet të ishin më cinikë dhe më kërkuese, teksa rastet e humbura të kthehen kundër. Për sa i përket takimit ndaj Teutës ai e vlerëson si shumë delikat dhe përcaktues në rrugëtimin drejt titullit, por edhe drejt kupave të Europës përmes kampionatit.

Një humbje që me sa duket nuk e prisnit?

Të them të vërtetën e kishim përgatitur ndeshjen për të marrë maksimumin dhe nuk e mendonim humbjen. Por futbolli i tillë është, të godet kur nuk e mendon dhe kështu na ngjau neve ndaj Tiranës.

Ku gabuat te kjo humbje?

Duhet të ishim treguar më cinikë në ato raste që kishim sepse lojën e kishim nën kontroll. Por futbolli ka një ligj të pashkruar, po nuk shënove do ta pësosh dhe kështu na ndodhi neve në këtë ndeshje. Është me të vërtete për të ardhur keq.

Mendoni se mund të merrnit më shumë në këtë sfidë?

Sigurisht që mund të merrnim më shumë. Tirana, në pjesën e dytë, na ndëshkoi me një gjuajtje në portë. Tani ajo ndeshje kaloi, ne duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës pasi është e një rëndësie të veçantë.

Këtë javë një tjetër delikate përballë Teutës. Mendoni se kjo është ndeshja e sezonit dhe përcaktuese për titull?

Këto 6 javë janë të gjitha ndeshje të rëndësishme dhe nuk ka asnjë kundërshtar të lehtë. Me Teutën është një ndeshje direkte dhe shumë përcaktuese për vazhdimin e kampionatit.

Çfarë duhet të bëjë Vllaznia për ta fituar sfidën ndaj Teutës?

Vllaznia duhet të zhvillojë lojën e vet dhe jam i sigurt që rezultati pastaj do të flasë për ne. Shpresoj dhe besoj që të kemi edhe fatin me vete dhe jo si në takimin ndaj Tiranës.

Fitorja, objektivi i vetëm për këtë sfidë?

Objektivi ynë gjithmonë ka qenë dhe do të jetë fitorja, por ndonjëherë në futboll vendosin episodet ashtu si në ndeshjen me Tiranën.

Nëse nuk arrihet fitorja në këtë sfidë, a mund të rrezikojë seriozisht Vllaznia titullin kampion apo ka ende takime?

Ekipi është shumë i qetë drejt objektivit që i kemi vënë tanimë vetes. Presionin e kanë kundërshtarët dhe ne këtë gjë duhet ta shfrytëzojmë. Janë 6 takime 6 finale dhe gjithçka është e hapur. Më i miri le të fitojë.