Me ardhjen e trajnerit Brdariç kanë ndryshuar shumë gjëra në skuadër. Dhe një ndër ndryshimet është edhe ai i kapitenit. Tekniku gjerman ka zgjedhur t’ia besoj shiritin e kapitenit mbrojtësit Gurishte. Duke folur në lidhje me këtë vlerësim, vetë Erdenisi shprehet:
“Për mua është një privilegj që më është besuar shiriti i kapitenit të Vllaznisë sepse dihet se kush është kjo skuadër. Kjo gjë është edhe emocion, por në fund të fundit shiriti pak rëndësi ka. Unë jam Gurishta dhe do të mundohem të bëj maksimumin në fushën e lojës, Normalisht që shiriti të jep pak krahë më shumë”
Ndërkohë duke folur për ndryshimet e shumta që ka pësuar skuadra kohët e fundit, shoqëruar me largimet e disa lojtarëve dhe ardhjen e të tjerëve, mbrojtësi i djathtë i kuqebluve është shprehur:
“Normalisht që na janë larguar shumë lojtarë dhe janë afruar shumë të tjerë të rinj dhe kuptohet që duhet pak kohë që ata të ambjentohen me njëri- tjetrin por e shoh që janë afruar lojtarë cilësorë, ka shumë dëshirë në ekip dhe besoj se Vllaznia është në rrugën e duhur”.
I pyetur për pretendimet që do të ketë Vllaznia në sezonin e ri, Gurishta ka shtuar: “Në vitin e parë kuptohet që do të jetë e vështirë për të pretenduar diçka me gjithë këto lojtarë që janë afruar, por me këtë projekt serioz që kanë drejtuesit, jam i bindur se shumë shpejt Vllaznia do të jetë në Kupat e Europës dhe pretendente për titullin kampion”.
Sa i takon raporteve me trajnerin gjerman dhe atyre çfarë Brdariç kërkon nga ekipi, kapiteni i kuqebluve është përgjigjur: “Duke qenë gjerman kuptohet që trajneri kërkon rregull e disiplinë. është shumë strikt në stërvitje, ka një filozofi tjetër në krahasim me vitet e kaluara, kërkon një lojë të shpejtë dhe jo mbajtje topi.
Ai kërkon nga lojtarët që të vrapojnë shumë dhe duke punuar në këtë mënyrë, besoj se do ia dalim. Tifozet presin shume prej nesh dhe prandaj duhet t’i bejme edhe ata te besojne per nje Vllazni ndryshe”
Intervistoi: Tonin FRROKU