Vllaznia ka bërë detyrën duke fituar në Fier dhe tashmë kanë nisur të mendojnë për ndeshjen e rradhës, atë ndaj Skënderbeut që do të luhet të dielën në Shkodër. Në këtë pragndeshje, kapiteni Erdenis Gurishta ka folur për “Panorama Sport” teksa ka shpalosur edhe objektivat e skuadrës këtë sezon.
“Asnjë ndeshje nuk është e lehtë në kategorinë superiore. Ne edhe ndaj Apoloninë e kemi vlerësuar si çdo skuadër tjetër, pavarësisht gjendjes ku ndodhet. E merituam fitoren, edhe pse ishte me shifra minimale. Ndoshta kjo ndodhi edhe për shkak të terrenit pak të vështirë”- është shprehur ai.
Ndërkohë i pyetur nëse Vllaznia do të mundet ta ruajë diferencën prej 5 pikësh që ka krijuar me ndjekësit e saj, kapiteni Gurishta ka shtuar: Nuk duhet ta shohim tabelën e klasifikimit, diferencat aktuale apo shifrat në renditje. Për ne rëndësi ka të marrim ndeshjet një nga një si të ishin finale. Kështu që kemi edhe dy finale për të luajtur deri në mbyllje të këtij viti dhe do të luftojmë për të marrë pikët e plota”.
Apolonia është lënë pas tani dhe fokusi tek Vllaznia është përqendruar për sfidën e rradhës, atë që do të luajnë të dielën në Shkodër ndaj Skënderbeut. Duke folur në lidhje me të dhe me objektivat për të ardhmen, mbrojtësi i djathtë i kuqebluve është shprehur:
“Skënderbeu meriton respekt dhe vlerësim, sepse ka lojtarë cilësorë dhe trajner të mirë, kështu që për asnjë moment nuk duhet të shohim Skënderbeun si të parafundit në klasifikim dhe ta mendojmë ndeshjen të fituar ende pa zbritur në fushë, pa dhënë më të mirën dhe pa marrë maksimumin me lojë.
Edhe këtë herë do të futemi në fushë për ta fituar ndeshjen. E rëndësishme është të vazhdojmë me këtë ritëm dhe me këtë lojë që po zhvillojmë deri tani. Objektivi i vetëm për ne edhe ndaj Skënderbeut mbetet fitorja. Mbarë opinioni sportiv në Shkodër dhe Shqipëri e ka kuptuar që kjo Vllazni është skuadra më e bukur e kampionatit deri tani. Nuk flasin vetëm rezultatet, por edhe loja e ekipit në tërësinë e vet.
Ekipi i Vllaznisë nuk i meriton kaq shumë vite pa titull. Sivjet skuadra është në rrugën, edhe pse është herët për të folur për objektiva të mëdhenj. Nëse vazhdojmë kështu, koha do të tregojë gjithçka. Besoj se nuk do të jetë e largët dita kur Vllaznia do të jetë kampione e padiskutueshme. Shpresojmë që kjo të jetë sa më shpejt./SHKODRA-SPORT.COM/