Kapiteni i Kombëtares U-17 të Shqipërisë, Orgito Ruci, ka bërë një hap të rëndësishëm në karrierë teksa është transferuar në klubin e njohur italian Xhenoa.

Ruci në të kaluarën ka qenë pjesë e akademisë të Olimpiakosit, ku ka spikatur me paraqitjet e tij. Ai aktivizohet në rolin e mesfushorit të qendrës dhe është vetëm 17-vjeç.

Talenti kuqezi ka firmosur një kontratë 3-vjeçare. Ai është prezantuar sot në klub teksa është shfaqur përkrah menaxherit shqiptar Angjelos Veizi. Me fanellën e Kombëtares U-17 numëron 4 paraqitje ndërkohë që është aktivizuar edhe 2 ndeshje me Shqipërinë U-18.

Ndrkohe lojtari shqiptar i AEK-ut të Athinës, Ajdi Dajko, ka gjetur golin për ekipin e dytë të AEK-ut në Kategorinë e Dytë greke dy ditë më parë. Mbrojtësi zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer në sytë e trajnerit të ekipit të parë, argjentinasit Matias Almeida dhe kundër Prodeftikit arriti që të gjente golin.

Ai është në kontingjentin e ekipit të parë, por për të marrë minuta luan edhe me ekipin e dytë të klubit grek. Kjo paraqitje i sjell Dajkos në figurë të mirë për të qenë një nga lojtarët e së ardhmes te klubi grek.

Ndërkohë dje, Dajko ka qenë në stol me ekipin e parë, në ndeshjen e Kupës që AEK-u fitoi mbrëmjen e djeshme ndaj Kicifiasë në transfertë. Mbrojtësi 20-vjeçar nuk është grumbulluar me ekipin kombëtar të Shqipërisë që prej vitit 2018, ku është thirrur edhe për herë të fundit me Kombëtaren U-17.