Në fillim të kësaj jave, Jurgen Qemali, djaloshi nga Shkodra nisi periudhën e testimit, pasi ishte nën vëzhgim nga skautët e klubit spanjoll dhe falë ndërmjetësimit të drejtorit teknik të Valencias në Ballkan, kroati i mirënjohur, Marjo Boniç si dhe falë punës së menaxherit shqiptar të FIFA-s Bruno Dodi dhe njohjeve me Boniçin 17-vjeçari ndodhet në akademinë spanjolle për testime.
Shkodrani që është një lojtar me të ardhme dhe pasi ka shkëlqyer me moshat dhe ekipin e parë të Murlanit, ka lënë gjurmë edhe pse ka pak ditë në akademinë e klubit të njohur spanjoll dhe duket se është afër akordit, pasi testimet janë duke shkuar mjaft mirë.
Qemali po lë mbresa, ndërsa menaxheri i FIFA-s, Bruno Dodi për “Vipsport” ka pohuar: “Po, Qemali deri më tani po bën paraqitje mjaft të mira dhe shpresojmë që të ketë konkretizim me sukses, sepse bëhet fjalë për një lojtar me shumë të ardhme.
Paraprakisht kanë mbetur të kënaqur me formën e tij, shpresojmë që të vijojë e njëjta paraqitje deri në fund. Shqipëria ka shumë talente, unë kam ndjekur ekipet e moshave, ka lojtarë shumë të talentuar, por që duhet punuar akoma më shumë me ta dhje kjo është në varësi të trajnerëve”.
“Ne kemi transferuar edhe futbollistë n Shqipëri, në ekipe të njohura edhe në Superiore, por bashkë me mikun tim Marjo Boniçin apo dhe kroati i mirënjohur që ka luajtur me ekipe si: Dinamo e Zagreb, Barcelona apo kombëtarja kroate, Robert Prozineçkin, po kërkojmë lojtarë të moshave të vogla. Ka shumë interes, për më tepër që në shumë vende futbolli shihet si biznes me lojtarët e talentuar”.
“Të njëjtën gjë duhet të bëj edhe Shqipëria, sepse është elementi, por duhet puna, me kushte bashkëkohore në ekipet e moshave sidomos. Ne po bëjmë punë serioze dhe ka interes sidomos për pistat e huaja, në kampionatet greke, apo dhe akademitë në Itali dhe Spanjë, ku bashkë me Boniçin shpresojmë që t’u bëjmë vend shumë të rinjve shqiptarë”, – tha Dodi./vipsport/