Kapiteni i Teutës, Blerim Kotobelli, është shprehur optimist para ndeshjes kundër Elbasanit.

Pas fitores në javën e parë kundër Bylisit me shifrat 2-1, durrsakët duan të mbajnë ritmin, duke tentuar një tjetër sukses, këtë herë në transfertë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi është i bindur që skuadra do të bëjë gjithçka për të dalë me tri pikë. Ai vlerëson Elbasanin, ndërsa nga ana tjetër, ka besim maksimal se bashkë me shokët e skuadrës do të shfaqin një lojë më të mirë se ajo e javës së parë në Durrës.

Blerim, si paraqitet gjendja para ndeshjes me Elbasanin?

I gjithë grupi është i gatshëm për këtë ndeshje. Mendoj se vijmë nga një javë ku jemi stërvitur mirë dhe futbollistët janë gati të japin gjithçka nga vetja, për të marrë më të mirën nga ky takim.

Si e shihni rivalin e radhës?

Ndeshja nuk do të jetë e lehtë, ashtu sikurse edhe çdo takim tjetër këtë sezon. Megjithatë, ne jemi gati dhe kemi punuar për këtë ndeshje, duke vlerësuar në maksimum kundërshtarin. Jemi në pritje të progresit të cilin po e kërkojmë çdo ditë në seancat stërvitore.

Besoni te një tjetër fitore?

Ne do të bëjmë gjithçka që të fitojmë, të ruajmë ecurinë pozitive që nisëm këtë kampionat në fushën tonë. Këtë herë luajmë në transfertë, por e dimë mirë se çfarë skuadre kemi përballë. Duke pasur përqendrimin e duhur gjithë lojës, mendoj se do të marrim atë që dëshirojmë. Gjithsesi, më mirë t’ia lëmë fushës dhe të bëjmë gjithçka, në mënyrë që të mos na mbetet asnjë peng kur të përfundojë ndeshja.

I druheni Elbasanit në këtë përballje, pasi rikthehet të luajë në Superiore pas shumë vitesh dhe normalisht do të jetë i karikuar për një fitore kundër Teutës?

Nuk i druhemi Elbasanit dhe asnjë kundërshtari këtë kampionat. Të gjithë mund të fitojnë apo të gjithë mund të humbasin. Jemi shumë të qetë dhe nuk kemi presion.

Ju jeni një ndër lojtarët me më shumë eksperiencë në skuadër, sa ka ndryshuar Teuta nga ajo e një sezoni më parë?

Kemi patur një ekip shumë të mirë edhe në sezonin e kaluar, por tani kemi një stil të ri dhe mua më pëlqen personalisht. Trajneri kërkon nga ne në lojë të bëjmë atë të cilën e praktikojmë në stërvitje. Gradualisht do të dalim në atë që kërkojmë të bëjmë.