Kapiteni i ekipit të Vllaznisë, Gilman Lika, është optimist se skuadra mund t’ia dalë ndaj Teutës. Sipas Likës, ekipi nuk ka kaluar asnjë shok pas humbjes me Tiranën, kjo edhe për vetë faktin se skuadra u ndëshkua nga dy gabime të saj. Dyjavëshi i ndërprerjes së kampionatit ka ndikuar për mirë te Vllaznia. Me përjashtim të dëmtimit të Krymit dhe disa problemeve të përsëritura të Emersonit, pjesa tjetër e ekipit, edhe sipas Likës, është e plotë. Nisur nga kjo dhe nga puna që po bëhet, kapiteni kuqeblu duket i bindur se në Durrës skuadra do të kërkojë të marrë më të mirën.
Si ka ndikuar ky dyjavësh te skuadra?
Mendoj se ne e kishim të nevojshme këtë ndërprerje. Pranë ekipit, siç edhe dihet, erdhën disa lojtarë të rinj në momentet e fundit, të cilët nuk kishin përgatitjen e duhur fizike. Mendoj se kjo u bëri mirë atyre. Me përjashtim të Emersonit, që u kthye në stërvitje në ditët e fundit dhe Krymit që ka probleme me gjurin, pjesa tjetër e skuadrës ka zhvilluar një punë intensive dhe mendoj se gjendja e gjithsecilit duket tejet optimale.
Ka ndikuar humbja ndaj Tiranës qoftë edhe në aspektin psikologjik tek ekipi pas asaj nisjeje?
Mendoj se tek asnjëri nga ne nuk ka pse të ndikojë një humbje në kampionat, qoftë edhe ndaj Tiranës. Atë takim, kush e ka parë, do të thotë që ne e humbëm nga gabimet tona. Tirana nuk ishte më lart se ne deri në ato dy minuta që sollën edhe humbjen. Prandaj, nuk duhet që të ndihemi fare për atë që shkoi, por të shikojmë përpara për takimin e radhës.
Ju pret një ndeshje e fortë këtë fundjavë…?
Teuta përherë ka qenë një skuadër e fortë për ne. Këtë sezon ajo është në listën e skuadrave pretendente. Dimë që është forcuar ndjeshëm dhe e kemi ndjekur këtë ekip. Mendoj se është një përballje e vështirë për ne, por jo e pamundur për t’u kaluar me sukses.
Jeni të bindur për një rezultat pozitiv?
Normalisht që ne shkojmë për një rezultat pozitiv. Ky fillim kampionati po tregon se diferencat janë të vogla mes ekipesh. Si fitoi Tirana në Shkodër mund të bëjmë ne në Durrës. Të tilla takime mes rivalësh kanë brenda të tria rezultatet. Ne do të shkojmë për maksimumin, por edhe një barazim do të quhet rezultat pozitiv në këtë përballje. E rëndësishme është që të kthehemi te rezultatet pozitive sa më parë.