Pavarësisht ecurisë së mirë që ka patur në këtë kampionat Veleçiku, Vllaznia do të dijë të tregojë vlerat e veta në sfidën direkte mes tyre dhe të marrë fitoren. I këtij mendimi është shprehur kapiteni i ekipit shkodran Gilman Lika në konferencën për shtyp të pragndeshjes.

Sipas tij, kundërshtari është vlerësuar maksimalisht por mes ekipeve ka diferenca dhe prandaj fitorja do t’u takojë kuqebluve. “Kjo është ndeshja e fundit e këtij viti dhe padyshim që do të tentojmë ta fitojmë në mënyrë që edhe festat e fundvitit t’i shijojmë ashtu si duhet.

Përballë do kemi një skuadër shumë të motivuar si Veleçiku e cila ka bërë mirë deri tani në kampionat dhe ka edhe ajo objektivat e veta për të qenë në pesëshen e parë, megjithatë ne na duhen pikët dhe jam i bindur se do ia dalim. Skuadra është e plotë, formacioni thuajse është stabilizuar tashmë sepse e njohim edhe më mirë lojën e njëri- tjetrit dhe kësisoj besoj se do ia dalim me sukses ndonëse luajmë në një fushë jo shumë të përshtatshme dhe që na pengon në lojën tonë”- është shprehur ai.

I pyetur në lidhje me ecurinë e deritanishme të skuadrës dhe atë se çfarë e pret në të ardhmen, kapiteni Lika shprehet: “Sigurisht që do të donim që të mos kishim asnjë gabim në ecurinë tonë, por janë gjëra që ndodhin. E pësuam edhe ndaj Besëlidhjes në fund kur nuk e meritonim dhe ndoshta kompesuam atë fitore të minutave të fundit ndaj Korabit.

Ecuria jonë e përgjithshme deri tani ka qenë pozitive dhe e rëndësishme është që ta mbajmë sa më gjatë atë për të ruajtur vendin e parë deri në fund. Sa për dënimin e fushës së Erzenit, nuk mendoj se duhet ta mbajmë mendjen aty. Ne i respektojmë të gjithë kundërshtarët, si Erzenin, ashtu edhe Dinamon apo dhe Veleçikun”.

Ndërkohë në lidhje me formën e tij sportive, Lika është shprehur: “Ju që na shihni nga jashtë apo dhe specialistët mund të japin një mendim më të drejtë por besoj se gëzoj një formë të mirë dhe shpresoj të bëj më të mirën që Vllaznia të arrijë objektivin e saj për t’u ngjitur në Superligë”.

Ndeshja Veleçiku- Vllaznia, e vlefshme për javën e 14-të të kategorisë së parë, do të luhet të shtunën në orën 13.30 në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe me të do të mbyllen takimet zyrtare për vitin 2018 dhe për këtë arsye të dy ekipet do të tentojnë ta mbyllin në mënyrën e duhur atë.
© shkodrasport.com