Bruno Lulaj ishte zyrtarizimi i parë i kësaj merkatoje vere për Elbasanin, duke iu bashkuar pas një shtegtimi në disa skuadra ekipit të tij të vendlindjes.
Ish-fituesi i dy titujve kampionë me Skënderbeun, pohon më intervistën e dhënë për “Panorama Sport” se do t’i shijojë më shumë një titull me Elbasanin dhe për këtë do të përpiqen deri në fund t’ia dalin. Ai nuk i kënaqet barazimit në Korçë, duke pretenduar vetëm fitoren, e cila do t’u bëjë punë sa i përket moralit për ndeshjet në vazhdim. Kapiteni është i bindur se në Korçë do ndihen si në shtëpi, për shkak se tifozëria verdheblu pritet t’i mbështesë në maksimum.
Bruno, është gati Elbasani për startin e kampionatit?
Mendoj se po. Kemi lënë pas fazën përgatitore, e cila shkoi më së miri, duke na shërbyer të marrim ngarkesat e duhura, por edhe të adaptojmë filozofinë e trajnerit. Jemi futur te java e kampionatit dhe besoj se jemi plotësisht gati t’i bëjmë një nisje të mbarë këtij sezoni.
Riktheheni në Korçë, tanimë si kapiten i Elbasanit, cilat janë emocionet?
Kam kaluar mirë në Korçë për kohën që qëndrova dhe normalisht nuk i harroj lehtë. Futbolli kështu e ka, tani shkoj si kundërshtar dhe normalisht do të përpiqem të marr maksimumin me Elbasanin.
Do të kënaqet Elbasani edhe me një barazim në këtë ndeshje?
Në futboll janë tri rezultate dhe asnjëherë nuk mund të flasësh me siguri. Por, filozofia e Elbasanit është që të marrë maksimumin në çdo ndeshje. Të jem realist, asgjë nuk na kënaq më pak sesa trepikëshi.
Sa të rëndësishme janë ndeshjet e para për ecurinë në vazhdim?
Nuk thonë kot që fillimi i mbarë është gjysma e punës. Me pak fjalë, ndeshjet e para janë shumë të rëndësishme për moralin dhe psikologjinë e skuadrës. Prandaj, do të bëjmë gjithçka për t’ia dalë dhe për ta nisur sa më mirë.
Keni fituar dy tituj kampionë me korçarët, sa do e dëshironit një me Elbasanin?
E vërtetë është që kam fituar dy tituj si lojtar i Skënderbeut, por më duhet ta pranoj se dëshira ime më e madhe është ta fitoj me ekipin tim të vendlindjes. Të shpresojmë që në fund të sezonit t’ia arrijmë.
Prisni një mbështetje nga tifozëria në Korçë dhe a keni një thirrje për ta?
“Tigrat” dihet që janë lojtari ynë i 12-të dhe kanë qenë gjithnjë kudo të pranishëm për të mbështetur skuadrën. Sigurisht që ne presim të jemi sa më të shumtë për të na mbështetur dhe jam i bindur se kështu do të ndodhi. Edhe në transferta, do të na duket sikur luajmë në shtëpinë tonë.