Flamur Ruçi ka dalluar me lojën e tij në në skuadrën e Bylisit. Mesfushori me tipare sulmuese i cili shënoi edhe në Kupë kundër Egnatias, ka dhënë një prononcim për mediat në prag të duelit që ballshiotët do të luajnë me Vllazninë. 23-vjeçari beson se kthesa do të nisë nga Shkodra, si edhe synon që të shënojë 10 gola deri në fund të kampionatit.
“Dy humbjet në kampionat dhe ajo në Kupën e Shqipërisë sigurisht që kanë ndikuar jo mirë në skuadrën tonë. Por kemi gjetur forca, nuk e kemi ulur ritmin dhe nga ana e stafit është punuar shumë në aspektin psikologjik. Tashmë ne duhet që të mendojmë dhe të fokusohemi te kampionati, sepse kemi sfida vendimtare dhe na duhet që të bëjmë sa më mirë, për të mos ndërlikuar edhe më pozitat në tabelën e renditjes, pasi rivalët i kemi shumë afër.
Luajmë në Shkodër këtë fundjavë, në një ambient ku të lënë të luash futboll dhe ku duartrokitet skuadra më e mirë. Shkodra jo më kot është djepi i futbollit, por ne do të tentojmë më të mirën, sepse jemi një ekip me kualitet dhe cilësi. U kërkojmë ndjesë tifozëve, por jam besimplotë se kthesa e Bylisit do të nisë nga Shkodra. Ishim ne ajo skuadra që arritëm 7 rezultate pozitive radhazi dhe kam besim se do të jemi më të fortë në vijim e do të përsëritim atë sukses”, tha ai.
GOLAT- Më tej Ruçi u shpreh se ndër të tjera synon që të shënojë deri në 10 gola këtë sezon, edhe pse roli i tij është si mesfushor:
“Ne jemi një skuadër që u shënojmë thuajse të gjithë kundërshtarëve. Luajmë futboll të hapur dhe na pëlqen dalja e shpejtë në sulm, duke luajtur me një sulmues të deklaruar dhe kur jemi në ofensivë, dalim me 3-4 apo 5 lojtarë. Por unë jam i kënaqur edhe për faktin se shënova ndaj Egnatias në Kupë, ashtu edhe në kampionat kam realizuar 2 gola. Dua që të shënoj sa më shumë, madje pretendoj që ta mbyll kampionatin me 10 gola. Shpresoj t’ia arrij”, tha Flamur Ruçi në fund të prononcimit në prag të duelit me Vllazninë.