Ndaj Vllaznisë të dielën në “Loro Boriçi” Apolonia nuk ka treguar asgjë nga vlerat e saj dhe për rrjedhojë ka zhgënjyer me paraqitjen e bërë në fushën e lojës. Skuadra ka marrë kritika nga drejtuesit por edhe nga tifozët sipas të cilëve është e palogjikshme që për 90 minuta skuadra të mos e godiste asnjëherë portën e Zogoviç.

Megjithatë në mbrojtje të skuadrës ka dalë kapiteni Eljon Sota sipas të cilit të humbasësh ndaj Vllaznisë që është një ekip cilësor, nuk është fundi i botës. Një deklaratë e drejtë por në Fier në fakt nuk janë dakord me mënyrën si Apolonia e ka nisur kampionatin. Megjitatë kapiteni është munduar ta thotë fjalën e tij.

“Nuk është fundi i botës të humbasësh me Vllazninë. Kjo është vetëm java e parë dhe nuk kemi pse ta bëjmë dramë. Ne e kishim vlerësuar dhe e kishim përgatitur mirë ndeshjen me Vllazninë, por loja u fut në rrjedha të tjera.

Kemi pësuar dy gola për shkak të shpërqendrimit momental dhe kundërshtari i shfrytëzoi mirë mundësitë që iu krijuan. Në të vërtetë ne nuk u ngjitëm dot në nivelin e lojës tonë, por nuk ka pse të trajtohet si fundi i botës kjo humbje, pasi është vetëm java e parë dhe Vllaznia është një ekip cilësor.

Ne kemi nxjerrë mësimet e duhura nga kjo humbje, të cilat na janë bërë mësim për ndeshjen e rradhës ndaj Bylisit, ku ne pretendojmë të bëjmë autokritikë të plotë në lojë dhe në rezultat”- është shprehur kapiteni Sota. /SHKODRA-SPORT.COM/