Dy fitore nuk i mjaftojnë Vllaznisë për t’u kualifikuar në mes 32 ekipeve më të mira të Europës. Asaj i duhet së paku edhe një barazim në ndeshjen e tretë, atë përcaktuese që do të luajë ndaj skuadrës vendase, kampiones së Lituanisë- Gintra.
I vetmi problem tek ekipi shkodran është padyshim mungesa e kapitenes Esmeralda Franja. Ajo është ndëshkuar me kartona të verdhë në të dy ndeshjet e zhvilluara dhe për rrjedhojë është e skualifikuar pikërisht për “finalen” e madhe.
Mungesa e saj padyshim që është një problem i madh sepse kemi të bëjmë me një nga lojtaret më të rëndësishme të Vllaznisë por edhe të kombëtares shqiptare. Ajo luan në pozicionin e mesfushorës përpara mbrojtjes dhe padyshim që e ka bërë si duhet rolin e “digës” por njëkohësisht ka kontribuar vazhdimisht edhe në organizimin e lojës sulmuese të skuadrës.
Ende nuk është shumë e qartë se si do ta zëvendësojë trajneri Leka këtë futbolliste për takimin e së martës, megjithatë i gjithë ekipi do të jetë i vendosur për të bërë më të mirën në mënyrë që mungesa e Franjes të mos ndihet dhe Vllaznia të marrë rezultatin e dëshiruar që do ta kualifikonte për në turin e dytë të Ligës së Kampioneve të Europës.
© shkodrasport.com