Portieria e Adës, Brilanda Kokiçi është e entuziasmuar që skuadra e saj nuk është mundur as në sfidën direkte me kundërshtarin kryesor, ekipin e Juban Danjës dhe tashmë po shkon drejt titullit kampion. Duke folur në lidhje me ndeshjen e fundit, ajo është shprehur: “U përballën dy skuadrat më të mira të kampionatit por nga mënyra si shkoi loja, mendoj se e merituam të merrnim atë rezultat, që na shkonte për shtat dhe në këtë kontekst jemi shumë të kënaqura”. Në fakt, portieria e ekipit velipojak në momentet e fundit të ndeshjes ka kaluar një moment të vështirë, pse jo edhe për jetën e saj teksa pas një përplasje me një kolege të ekipit të saj dhe një tjetër futbolliste të Juban Danjës, ka rënë në tokë pa ndjenja. Megjithatë, pas marrjes së ndihmës së parë, ajo është ngritur në këmbë dhe ka vazhduar lojën. Pas ndeshjes është parë të gëzojë së tepërmi dhe më pas ka përfunduar në krahët e shoqeve të skuadrës dhe të presidentit Matija. Gëzimi ka qenë i ligjshëm për të sepse do jetë ajo që pas tre javësh do ngrejë sërish kupën e kampionatit e para në duart e saj meqë është kapitenia e Adës. E pyetur për këto emocione ajo do shprehej: “Natyrshëm janë emocione të mëdha. Kur e mendoj se do të ngrejë për të tretin vit me rradhë kupën e skuadrës kampione, sigurisht që ndjehem mirë. Po shpërblehet puna që kemi bërë me skuadrën gjatë gjithë vitit dhe për rrjedhojë jemi më të mirat”.

www.shkodrasport.com