Sezonin e kaluar në disa ndeshje ka qenë edhe titullar në formacionin e Vllaznisë. Madje me trajnerin Rudi Vata, në të parën ndeshje që luajti në formacion, atë ndaj Apolonisë në Fier, arriti të shënonte golin e parë të ndeshjes që do t’i hapte rrugën fitores së skuadrës shkodrane. Abaz Karakaçi ndonëse konsiderohej si një nga të rinjtë më me të ardhme i Vllaznisë, këtë sezon nuk është pjesë e saj. Ai është huazuar tek Partizani ngaqë tek skuadra kuqeblu nuk kishte hapësira për të nisur nga numri i madh i lojtarëve të ardhur në merkaton e verës. Largimi nga skuadra nuk ka qenë një dëshirë e tij megjithatë mesfushori 20 vjeçar thotë se në njëfarë mënyre ka qenë i detyruar ta bëjë këtë gjë. Ja si shprehet në intervistën e tij për gazetën online www.shkodrasport.com, Abaz Karakaçi:

-Karakaçi tashmë jeni duke luajtur me Partizanin. Ishte dëshira juaj të largoheshit nga Vllaznia?
-Nuk ishte dëshira ime të largohesha nga Vllaznia por meqë ajo bëri 12 blerje dhe nuk kisha hapësira aktivizimi, preferova të shkoj tek Partizani.E përsëris, me dëshirë kurrë nuk do të largohesha nga Vllaznia.
-Pse tek Partizani dhe jo tek ndonjë skuadër tjetër?
-Sepse Partizani është emër i madh në futbollin shqiptar.Sigurisht që ndikon pak fakti që ai merr pjesë në kategorinë e parë por e rëndësishme për mua është të luaj sivjet dhe sezonin tjetër të kthehem sërish tek Vllaznia, por këtë herë për të luajtur në formacion si titullar.
-E kishit të vështirë të largoheshit nga Vllaznia?
-Nuk e desha largimin por ishim të detyruar në njëfarë mënyre nga blerjet e shumta që bëri trajneri. Ishte më e mirë të largohesha këtë sezon dhe të luaja diku tjetër sesa të qëndroja pa luajtur tek Vllaznia sepse aty nuk të binte rradha për të luajtur.
-Përveç jush nga Vllaznia janë larguar edhe shumë lojtarë të tjerë të rinj që konsideroheshin si e ardhmja e saj. Çfarë mendoni për këtë politikë që ka ndjekur klubi shkodran?
-Ne konsideroheshim e ardhmja vetëm kur trajneri ishte Vata sepse me ndryshimin e trajnerëve, shumë gjëra ndryshuan, Trajneri Duro që erdhi në krye të skuadrës, mori lojtarët që dëshironte dhe ne që ishim më të rinjë dhe me perspektivë dolëm jashtë 18-shes. Sigurisht që është e drejtë e trajnerit të zgjedhë lojtarët që dëshiron por më ka çuditur disi qëndrimi i drejtuesve të klubit që nuk e kundërshtuan asnjëherë për këtë veprim por përkundrazi ia plotësuan të gjitha kërkesat për blerje, madje edhe më shumë nga sa u tha në fillim. Megjithatë nuk po shohim ndonjë cilësi më të madhe të këtyre që kanë ardhur sesa të ne të rinjve.
-Jeni i kënaqur me aktivizimin tuaj tek Partizani?
-Tek Partizani jam duke luajtur titullar në çdo ndeshje dhe po kërkoj të bëj një paraqitje sa më të mirë. Po bëj një stërvitje të fortë, madje edhe me nga dy seanca në ditë, falë edhe një programi stërvitor që na ka dhënë Smajli dhe besoj se vitin tjetër kur të kthehem tek Vllaznia, kam për të qenë shumë më i formuar sesa tani për t’i shërbyer skuadrës time të zemrës.
Gjergj KOLA