Janë dy lojtarë të Akademisë Vllaznia. Kampionë për disa sezone me grupmoshat dhe tashmë kanë nisur një karrierë të re tek ekipi i parë. Kanë filluar të luajnë edhe në formacion dhe kanë dhënë shkëndijat e para se mund të jenë elementë që do t’i vlejnë Vllaznisë për të ardhmen. Ata ia kanë shpërblyer besimin trajnerit të tyre, duke I dhënë atij garancinë se mund të bëjnë gjëra të mira në të ardhmen. Në konferencën e sotme për shtyp, këta dy futbollistë, sigurisht paksa të plogësht ngaqë është herë e parë zyrtare që dalin para gazetarëve, kanë falenderuar disa herë trajnerin Vata për besimin e dhënë. “Trajneri Josa nuk ma dha asnjëherë mundësinë për të luajtur dhe prandaj vlerat e mira nuk dolën në pah. Me trajnerin Vata gjërat duken ndryshe dhe besoj se do ia shpërblej edhe më shumë në të ardhmen. Besoj se kam ende për të dhënë. Ishte gjë e mira që debutova me gol sepse do më ndihmojë të luajë më lirshëm në të ardhmen”-ka thënë Karakaçi. Ndërkohë mesfushori tjetër, Tafa mendon se është shumë pozitive është një grup lojtarësh që luan prej vitesh sëbashku me ekipet zinxhir. “E njohim mirë lojën e njëri-tjetrit sepse luajmë prej vitesh bashkë e besoj se kjo është positive. Mendoj se kemi ende shumë për t’I dhënë Vllaznisë. Atmosfera në skuadër është përmirësuar shumë pas fitores ndaj Apolonisë dhe të gjithë shpresojmë që një gjë e tillë të ndodhë edhe ndaj Skënderbeut që do na ndihmonte për ta ngjitur Vllazninë aty ku I takon”-ka thënë Tafa. Vata përveçse po i aktivizon, po “i mëson edhe të flasë”. Si për të thënë se e ardhmja e kësaj skuadre do jetë në dorën e këtyre djemve.